Kritikat e forta që Fatmir Limaj ka lëshuar në adresë të kryeministrit Albin Kurti në fushatë, duket se janë shuar orët e fundit, kur lideri i Nismës Social Demokrate, nuk përjashtoi mundësinë e një koalicioni me lëvizjen Vetëvendosje.
“Kushdo që të më ftojë në tavolinë, unë do të shkoj për Kosovën”, tha Limaj, që në të kaluarën ka përdorur gjuhë të fortë kundër Kurtit, duke e cilësuar si mashtrues, e politikan që ndërron qëndrime.
Vullnet Bugaqku nga KDI, e cilëson si të mundshëm një koalicion mes Vetëvendosjes dhe Nismës, pasi bashkë me pakicat joserbe dhe votat e diasporës mund të krijojnë qeverinë. Limaj është një prej 3 kandidatëve të Nismës Socialdemokrate që sipas rezultateve papraprake ka fituar ulëse në Kuvend pasi garoi në koalicion me AAK-në e Haradinajt, Intelektualët dhe listën Ideal.
Megjithatë, pyetja që shtrohet është sa efektive do të jetë një qeveri e tillë? Sipas Bugaqkut, Kurti mund të luajë me zvarritjen e formimit të qeverisë për të bërë presion ndaj partive më të vogla, ose ndonjë subjekti më të madh, por megjithatë, siç thotë, ekzistojnë edhe dy interpretime të Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me qëndrimin e Fatmir Limajt nuk ka vonuar edhe reagimi i kryetarit të AAK, Ramush Haradinaj, i tha se “e keqja ka një emër dhe se ai është Albin Kurti”. (A2 Televizion)