Në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ndër të tjera, bëri edhe një bilanc të qeverisë së tij.
“Përveç sigurisë dhe mbrojtjes janë edhe tri fusha ku ne ndjeshëm e kemi rritur buxhetin: Bujqësia, arsim dhe shëndetësi. Kjo ka qenë e mundur për shkak të rritjes ekonomike që pësuam. Përpara qeverisë sonë, Kosova e Kishte bruto produktin vendor në 6,7 miliardë euro, sot ka shkuar në 9,6 miliardë. Punësimi është rritur me 20 përqind krahasuar me pranverën e vitit 2021, janë dyfishuar eksportet, janë dyfishuar investimet e huaja direkte dhe jemi bërë kampion në Ballkan për të drejtat politike dhe liritë civile. Sipas FMN jemi të parët në Ballkan për rritjen e të hyrave buxhetore. Sipas Bankës Botërore jemi të parët në Ballkan me pakon për ballafaqim me inflacion dhe krizën energjetike si përqindje të bruto produktit”, tha ndër të tjera Kurti.
Kurti foli për rritjen ekonomike, duke thënë se këtë vit ajo do të jetë rreth 4 përqind. “Besoj se rritjen ekonomike e kemi rreth 4 përqind këtë vit. Rritja ekonomike në këto tri vite që lamë pas ka qenë mesatarisht rreth 6,2 përqind e bruto produktit vendor dhe Kosova me këtë ritëm përgjatë kësaj dekade besoj se do të bëhet një shtet i dëshiruar, jo vetëm për mërgatën tonë, por edhe të huajt. Në veçanti kemi rritur punësimin te gratë. Punësim dhe drejtësi dhe këtë gjë po e bëjmë. Rritjen e ekonomisë nuk e kemi ruajtur për shtetin, por e kemi shpërndarë në shoqëri, në bursa dhe jo vetëm”.
Programi për mërgatën
“Kemi një program të bazuar në modelin irlandez për mobilizimin dhe aktivizimin e mërgatës. Disa mund të kthehet. Të kalojmë në kthimin e trurit apo sesi ata mund të na ndihmojnë pa u kthyer në vendin tonë. Kjo strategji duhet të shtrihet përgjatë kësaj dekade”.
Kryeministri i Kosovës tha në A2 CNN se ai mendon se qeveria që ai drejton ka bërë pothuajse gjithçka më mirë se paraardhësit e tij në krye të vendit. (A2 Televizion)