Zgjedhjet e rregullta parlamentare në Kosovë janë caktuar për datën 9 shkurt 2025, por ligjërisht kjo nuk e përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, një temë që si duket nuk është mbyllur ende.
Njohësit politikë insistojnë se Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit Albin Kurti do të tentojë ta çojë vendin në zgjedhje në muajin nëntor, kjo edhe për faktin se në atë kohë do të kuptohet edhe shefi i ri i Shtëpisë së Bardhë.
“Me gjasë është diskutuar brenda LVV një mundësi e tillë dhe mendoj se po mund të kemi edhe zgjedhje të jashtëzakonshme ose të parakohshme dhe kryeministri do të provojë të gjejë një arsyetim që ta çojë vendin në këto zgjedhje të parakoshhme. Mendoj se zgjedhjet në fundin e nëntorit do të ishte një kohë optimale për arsye edhe klimatike”, thotë politologu Fidan Ukaj.
Sipas njohësit, të gjitha obligimet që ka marrë Kosova në dialogun me Serbinë, përfshirë edhe Asociacionin, Kurti nuk do t’i zbatojë pa marr besimin për një tjetër mandat.
“Lëvizja Vetëvendosje sipas të gjitha gjasave dhe informatave që i posedoj është shumë e interesuar që brenda muajit nëntor të ketë zgjedhje në Kosovë pasi do të mbahen edhe zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presioni ndërkombëtar po vjen ndaj qeverisë Kurti dhe për të kryer të gjitha obligimet ndërkombëtare është i gatshëm që së pari të shkojë në zgjedhje pasi ta krijojë një qeveri të re dhe të kryejë obligimet që i ka Kosova”, u shpreh Arbënor Sadiku.
Sa i përket partive opozitare, Partia Demokratike e Kosovës është shprehur e gatshme për zgjedhje të parakohshme sipas formulës për shpërndarjen e Kuvendit, por LDK dhe AAK kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, gjë që ky i fundit refuzon ta bëjë. (A2 Televizion)