
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se sonte pritet të jetë një natë kritike sa i përket qarkullimit rrugor në Kosovë, për shkak të rënies së theksuar të temperaturave.
Sipas tij, "kontrasti i madh i temperaturave, me parashikime që ato të zbresin deri në –9 gradë Celsius, rrit rrezikun në trafik, pasi rrugët e lagura nga reshjet e shiut mund të ngrijnë gjatë natës", shkruan A2CNN.
Kurti ka bërë të ditur se të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve janë vazhdimisht në terren për të lehtësuar qarkullimin dhe për të parandaluar aksidentet.
Ai ka theksuar se është i domosdoshëm zbatimi i ligjit për sezonin dimëror, përfshirë pajisjen e automjeteve me goma dimërore dhe zinxhirë.
Kryeministri në detyrë u ka bërë thirrje qytetarëve që të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë natës, ndërsa ata që janë të detyruar të qarkullojnë, të vozisin me kujdes të shtuar dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike.
(A2 Televizion)