Politologu Nexhmedin Spahiu është shprehur se investimi i kryeministrit Albin Kurti, për mos-pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, është me efekt negativ në Kosovë.
Komentet Spahiu i bëri në ‘Ditari’ me gazetarin Erion Dushi në A2 CNN, ku tha se pas lëvizjes së Kurtit, e cila përfundoi me regjistrimin në zgjedhje të Listës Serbe përmes Komisionit të Ankesave, mund të çojë në mobilizimin e serbëve për të votuar këtë subject politik në masë.
Spahiu tha gjithashtu se arritja më e madhe e Albin Kurtit gjatë qeverisjes së tij, është marrja nën kontroll e veriut të Kosovës, që sipas tij, është një arritje e madhe, ndërsa në aspektet e politikës së brendshme, ai tha se kryeministri ka dështuar.
“Kjo ka qenë një manovër politike e kryeministrit Kurti, të cilit mendoj se nuk i është dashur. Mendoj ka bërë për të bërë lojëra patriotike me efekt zgjedhor për veten e vetë, mirëpo mendoj se kjo nuk I ka bërë ndonjë dobi Kosovës, madje mendoj se është edhe efekti i kundër.
Serbët mund të mobilizohen, në mënyrë që të votojnë Listën Serbe, që është e kundërta e asaj që është interesi i Kosovës dhe i asaj se ç’ka dëshiron Kurti. Nuk besoj që ai ka bërë lojën e duhur politike, pasi efekti është sërish zero.
Lista Serbe do të jetë sërish në zgjedhje dhe efekti është i kundërt me atë që është interesi i Kosovës. Do të ketë vetëm efektin që nëse Lista Serbe i merr të dhjetë deputetët që i takojnë minoritetit serb, atëherë Kurti do të detyrohet që ta marrë një ministër nga radhët e kësaj liste. Suksesi i Kurtit veç marrjes së kontrollit në veri të Kosovës, që është një sukses i madh, në fushat e tjera ai ka dështuar”, tha Spahiu, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)