![]()
Çmimet e karburanteve në Francë kanë nisur të ulen pas vendimit të qeverisë për të liruar 10 milionë fuçi naftë nga rezervat strategjike të vendit.
Disa prej kompanive më të mëdha të shpërndarjes së karburanteve kanë njoftuar ulje të çmimeve në pikat e tyre të shitjes, me synimin për të lehtësuar kostot për konsumatorët.
Sipas të dhënave të publikuara, të shtunën, më 31 tetor, çmimi mesatar i një litri naftë në Francë ishte rreth 2.37 euro. Megjithatë, pas vendimit për përdorimin e rezervave strategjike, disa kompani kanë ndërmarrë masa për uljen e çmimeve.
Kompania TotalEnergies ka vendosur që në stacionet e saj Access nafta të shitet me 2.15 euro për litër, rreth 10 cent më lirë se në pikat e tjera të grupit.
Sipas kompanisë, kjo masë synon t'u mundësojë klientëve të përfitojnë menjëherë nga përdorimi i rezervave strategjike, pa pritur shpërndarjen fizike të tyre.
Edhe rrjeti i supermarketeve E. Leclerc ka njoftuar një ulje prej 21 centësh për litër në rreth 742 stacionet e tij në Francë. Kompania bëri të ditur se zbritja do të përllogaritet çdo ditë dhe çmimet do të përshtaten në varësi të luhatjeve të tregut.
Një ulje të ngjashme, prej 21 centësh për litër, ka paralajmëruar edhe rrjeti Coopérative U, duke iu bashkuar nismës për të lehtësuar barrën e çmimeve të larta të karburantit. (A2 Televizion)