Lëvizja Vetëvendosje nuk heq dorë nga përpjekjet për të penguar certifikimin e Listës Serbe në zgjedhjet lokale që mbahen në 12 tetor, duke përsëritur skenarin para parlamentareve të 9 shkurtit.
Anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje bënë ankesë të martën në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për ta urdhëruar Komisionin Qendror Zgjedhor ta certifikojë Listën Serbe.
PZAP, urdhëroi javën e kaluar komisionin zgjedhor ta certifikojë partinë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar, pak ditë pasi asaj iu mohua regjistrimi për pjesëmarrje në zgjedhjet e 12 tetorit.
Dy anëtarët e LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi i kërkuan të martën Gjykatës Supreme ta rrëzojë vendimin e PZAP-së, siç bën të ditur Radio Evropa e Lirë.
Ky rast është pothuajse një përsëritje e rastit të zgjedhjeve të përgjithshme të shkurtit, kur LVV e kishte kundërshtuar deri në Supreme pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhje, por pa sukses.
Vendimi për moscertifikimin e Listës Serbe është kritikuar nga vendet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian, të cilat i bënë thirrje Qeverisë në detyrë dhe partive politike të mos ndërmarrin ndonjë hap tjetër për ta penguar regjistrimin e Listës Serbe për zgjedhjet e tetorit.
Zgjedhjet lokale janë veçanërisht të rëndësishme për Listën serbe, e cila kërkon të rimarrë kontrollin në të 4 komunat veriore, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Ato drejtohen nga kryetar shqiptar, pas Lista Serbe bojkotoi lokalet e majit të vitit 2023. (A2 Televizion)