Ligjvënësit kosovarë arritën të tejkalonin ngërçin kryesor drejt konstituimit të kuvendit, duke zgjedhur kryetarin e ri, por seanca ende nuk mund të quhet e përfunduar pasi nuk ka konsensus për 5 nënkryetarët.
Pas 57 përpjekjesh të dështuara, deputeti i lëvizjes Vetëvendosje Dimal Basha u zgjodh kryetar i kuvendit duke marrë 73 vota, 30 kundër dhe 8 abstenim.
Ai arriti t’i marrë votat e nevojshme falë votës së një pjesë të deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një pjese të pakicave. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe votuan kundër.
Në fjalimin e tij të parë pasi u zgjodh në krye të organit ligjvënës, Basha foli për përgjegjësinë që ndien, rëndësinë e Kuvendit dhe u bëri thirrje deputetëve për bashkëpunim.
Pas zgjedhjes së Bashës kryetar, kuvendi zgjodhi edhe 3 nënkryetarët nga partitë shqiptare; Albulena Haxhiun nga Vetëvendosje, Vlora Çitakun nga PDK dhe Kujtim Shala nga LDK. Emilija Rexhepi u zgjodh nënkryetare nga pakicat joserbe, ndërsa konstituimi ngeci te votimi i kandidatit për nënkryetar nga pakica serbe.
Lista Serbe , si partia më e madhe e këtij komuniteti me 9 deputetë në kuvend, propozoi emrin e Sllavko Simic për postin e nënkryetarit, por ai dështoi të merrte votat 3 herë.
Kryetari i kuvendit mori më pas vendimin që zgjedhja e nënkryetarit serb të kalojë në formatin me short, mes kundërshtisë së listës serbe.
Pavarësisht refuzimit të kësaj partie që të marrë pjesë në hedhjen e shortit për të zgjedhur nënkryetarin serb, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka vazhduar procedurën, teksa secili deputet që doli nga shorti u votua për të siguruar 61 votat.
Teksa shpresa ishte që votat e nevojshme mund ti siguronte kreu i Partisë Serbe për Liri dhe Mbijetese, Nenad Rashiq, i cili ka qenë pjesë e qeverisë së kaluar të Kurtit, ai mori mbështetjen e vetëm 55 deputetëve.
Në këtë pikë, kryetari i kuvendit ndërpreu seancën në mungesë konsensusi, për t’u mbledhur sërish të enjten në orën 11:00.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Armend Muja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje e ka përshkruar si "gabim historik" mosvotimin e deputetit Nenad Rashiq si nënkryetar Kuvendi nga radhët e komunitetit serb. (A2 Televizion)