Ish-këshilltari i sigurisë kombëtare në administratën e parë Trump, John Bolton, deklaroi në një intervistë në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2 CNN se SHBA nuk ishte kundër ndryshimit të kufijve mes Kosovës e Serbisë, për sa kohë të dy shtetet do të ishin dakord.
“Ne nuk ishim kundër përshtatjes së territoreve nëse të dyja vendet do të binin dakord dhe menduam në një farë pike se kishte një mundësi për të arritur një marrëveshje brenda ligjit”, tha Bolton. “Por nuk kishte dyshim në mendjen time që gjetja e një zgjidhjeje përfundimtare është e rëndësishme sepse lojtarë të tjerë të jashtëm në Ballkan donin që Ballkani të kishte mosmarrëveshje dhe t'i shfrytëzonin situatat dhe të zgjeronin dallimet brenda Ballkanit. Dhe kjo mund të çonte vetëm në paqëndrueshmëri në rajon dhe në rastin më të keq mundësinë e zgjerimit të konflikteve”.
Bolton shtoi se Shtetet e Bashkuara do të ishin të lumtur që të ndihmonin nëse palët do të mendonin se kjo do të ishte një zgjedhje e dobishme. “Por ne ishim kundër zgjidhjeve nga jashtë dhe kjo do ta bënte konfliktin më të keq. Të paktën unë kështu e shikoj edhe presidenti vetë besoj”, shtoi ai.
Megjithatë, Bolton tha se rreziku për një përshkallëzim të konfliktit në Ballkan është real, sidomos duke parë atë që po ndodh në Ukrainë. “Nëse shikoni dëshirën e Vladimir Putin në mënyrë specifike për të rikrijuar Perandorinë ruse, ai e ka dhënë paralajmërimin në këto 20 vite, mund të shikoni që rreziku i paqëndrueshmërisë në Ballkan është real”, tha ai. “Në një botë perfekte kjo do të ishte një zonë paqeje dhe stabiliteti kryesisht për shkak të kuadrit të dhënë nga NATO dhe një farë mase edhe nga BE-ja. Po nuk jemi ende aty ku duhet dhe kushtet nuk janë të tilla që të ketë një stabilitet të tillë”. (A2 Televizion)