I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, qëndroi të mërkurën në Prishtinë, ku zhvilloi takime të ndara me kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani.
Dialogu mes dy vendeve nuk shënoi progres gjatë vitit të kaluar, i ndikuar nga ngërçi institucional në Kosovë dhe protestat e vazhdueshme të studentëve në Serbi.
Në këtë kontekst, Sorensen tha se po pret formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve dhe shprehu shpresën që viti 2026 të sjellë zhvillime pozitive në procesin e dialogut.
“Pavarësisht asaj që ndodhi në vitin 2025, ne vazhdojmë të punojmë për çështjet që kemi përpara në dialog. Shpresoj personalisht që viti 2026 të na japë atë që viti 2025 nuk e dha. Pikërisht për këtë arsye po e nis vitin e ri me një vizitë pune këtu dhe më pas në Beograd”, tha Sorensen.
Sorensen konfirmoi se Bashkimi Europian po punon edhe për organizimin e një takimi të nivelit të lartë mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç.
Ai nuk komentoi kushtet e vendosura nga pala kosovare për vazhdimin e dialogut, duke theksuar se roli i BE-së mbetet lehtësimi i procesit dhe ulja e palëve në tryezën e bisedimeve: “Ajo që do të bëjmë ne, siç na është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare, është të sigurohemi që të dyja palët të ulen në bisedime. Duhet të gjejmë një mënyrë që kjo të ndodhë. Përfaqësuesja e Lartë i ka vizituar si Beogradin ashtu edhe Prishtinën dhe ka pasur angazhime që një takim do të mbahet kur të jetë momenti i duhur”.
Kryeministri Kurti ka bërë të ditur se Kosova kërkon dorëzimin e Millan Radoiçiçit, të cilin e konsideron përgjegjës për sulmin në Banjskë, tërheqjen e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiç dhe nënshkrimin e marrëveshjeve të arritura, si kushte për vazhdimin e procesit të dialogut. Gjatë qëndrimit në Prishtinë, Sorensen është takuar edhe me liderë apo përfaqësues të partive opozitare. (A2 Televizion)