
Kreu i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj do të mbështesë PDK-në për zgjedhjet e 7 qershorit. Lajmin e ka konfirmuar në rrjetet sociale, kreu i PDK-së Bedri Hamza, i cili ka ndarë edhe një foto me Limajn.
“Po, Fatmir Limaj do ta mbështesë Partinë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit - dhe jo vetëm. Me Fatmirin na kanë bashkuar vlera, ideale dhe përgjegjësia për vendin. Të njëjtat vlera po na afrojnë dhe po na ribashkojnë sërish sot, në një moment kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për bashkim, seriozitet dhe bashkëpunim në interes të qytetarëve. Këto janë vlera që i ndajnë edhe elektorati ynë dhe ai i NISMA-s”, shkruan Hamza, përcjell A2 CNN.
Sipas tij, kjo mbështetje është një hap i rëndësishëm drejt një bashkëpunimi afatgjatë politik, institucional, qeverisës dhe partiak, për stabilitet, zhvillim dhe një Kosovë më të fortë.
“E falënderoj mikun tim të vjetër, Fatmirin, për korrektësinë, mbështetjen dhe gatishmërinë për t’u bërë pjesë e këtij rrugëtimi të përbashkët. Mbështetësve tanë anekënd Kosovës dhe në diasporë ua them vetëm një gjë: më 7 qershor, bashkë do t’i themi STOP krizës dhe do ta ndryshojmë Kosovën!”, shkruan Hamza, raporton A2 CNN.
Një nga themeluesit e PDK-së dhe pjesë e kësaj force politike deri në vitin 2014, Limaj pak ditë më parë iu kishte drejtuar Hamzës me një letër, ku shfaqi gatishmërinë për ta “shkrirë” Nismën Socialdemokrate në një listë të përbashkët zgjedhore, por që u refuzua nga kreu i PDK-së. (A2 Televizion)