Ruajtja e kufirit në veri, Xhandarmëria pritet të plotësojë boshllëqet e FSK-së

Nga Ideal Gola
20 Maj 2026, 15:21 | Politikë

Ruajtja e kufirit në veri, Xhandarmëria pritet të

Ministria e Punëve të Brendshme ka nisur punën për themelimin e grupit punues i cili do të merret me analizimin dhe propozimin e modaliteteve për funksionimin e Xhandarmërisë së Republikës së Kosovës.

Kjo strukturë e re e sigurisë do të funksionojë si Agjenci e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe pritet të ketë shtrirje në të gjithë territorin e Kosovës.

“Një aspekt tjetër i rëndësishëm i sigurisë së Kosovës ka të bëjë me një zonë e cila është më shumë se policia e më pak se ushtria, prej ruajtjes së kufirit, të luftimit të terrorizmit, të mbylljes së çfarëdo shtegu të kontrabandës e deri tek mbrojtja e infrastrukturës kritike”, tha kryeministri Albin Kurti.

Kosova është zotuar para NATO-s se nuk do të çojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në pjesën veriore. Përpjekjet për të ngritur një forcë të re shihet edhe për të plotësuar boshllëqet që le mungesa e ushtrisë në pjesën ku shtrihet pjesa më e madhe e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë.

“Kërkohet një prani e një njësie të specializuar, sidomos në zonat kufitare dhe veçanërisht specifikat që i ka kufiri rreth 400 km vija e gjelbër me Serbinë. Ndoshta do të ishte e dobishme një funksionim i një mekanizmi të tillë, por gjithmonë duhet të kemi parasysh planifikimin e duhur dhe ndërtimin në baza të forta dhe të qëndrueshme, me kompetenca të qarta dhe me përgatitje dhe infrastrukturë të duhur”, tha Ish-Zv/Ministri i Brendshëm, Valdet Hoxha.

Shqetësimi që ngrihet në lidhje me këtë iniciativë është koha kur u propozua që lidhet me fushatën zgjedhore.

Ekspertët thonë se duhet të ketë qartësi për kompetencat meqë në kuadër të Policisë së Kosovës ka njësi të ndryshme të specializuara ndërsa edhe ka FSK ka policinë e saj ushtarake.

“Ndoshta do të ishte më e udhës që ky projekt serioz të ketë një planifikim më të qartë, më të pavarur, në një fazë tjetër më të qetë pas zgjedhjeve të përgjithshme, sepse është një mekanizëm i rëndësishëm shtetëror dhe kërkon edhe koordinim dhe bashkëpunim dhe ekspertizë gjithandej”, shtoi Hoxha.

Në katër komunat e veriut të banuar me shumicë serbe, reagues i parë i sigurisë është Policia e Kosovës, pasur nga EULEX-i dhe KFOR-i. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos