PDK dhe AAK ‘seancë’ në Kuvend, Hamza dhe Ramadani akuza të forta Kurtit: Po rrezikon Kosovën

Nga Xhevahir Qardaku
14 Gusht 2026, 12:07 | Politikë

Deputetët e Partisë Demokratike dhe të Aleancës hynë sot në kuvend, ku kërkuan rifillimin sa më parë të seancës konstituive. Ata u ulën në vendet e tyre dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, lëshoi akuza të forta në drejtim të kryesuesit të seancës, Avni Dehari, si dhe kreut të Vetëvendosjes.

“Albin Kurti po e mban peng shtetin e Kosovës. Pa e rikthyer rendin kushtetues, me ne nuk mund të flitet për asgjë tjetër”, u shpreh ai në foltore.

Më i ashpër në fjalët e tij ishte deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, që e akuzoi Kurtin për rrezikim të sigurisë kombëtare.

“Vakumi institucional është baza e rrezikimit të sigurisë kombëtare. Pse po ikin këta njerëz? Pse kanë qëllim bllokimin e institucioneve dhe shtetit?”, pyeti deputeti i Aleancës.

Kryeministri në detyrë komentoi zhvillimet e fundit dhe thirrjet e partive PDK, LDK dhe Aleanca, duke përsëritur qëndrimin e tij se duket një marrëveshje për presidentin dhe më pas të thirret rifillimi i seancës.

“Qëndrimi i Vetëvendosjes si fituese e zgjedhjeve është që presidenti i ardhshëm të jetë konsensual me mbështetje sa më të gjerë në Kuvend dhe në popull, të jetë personalitet që ka merita dhe kontribut, vlera kombëtare qytetare, por gjithashtu edhe i dëshmuar në profesion e shoqëri dhe për këtë dëshirojmë të merremi vesh në mënyrë që të evitojmë zgjedhjet e reja”, tha Kurti.

Megjithatë kjo përgjigje irritoi dhe më shumë kreun e PDK-së, që lëshoi këtë deklaratë në hollin e kuvendit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos