Kryeministri në detyrë i Kosovës, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar Bedri Hamzën për zgjedhjen në krye të Partisë Demokratike të Kosovës.
Proceset zgjedhore brenda partisë, janë parime themelore për funksionimin dhe avancimin e shtetit, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Facebook. Ai ka thënë se do të vazhdojë angazhimin për bashkëpunim korrekt, në përputhje me vullnetin e qytetarëve.
Zgjedhja e Bedri Hamzës në krye të Partisë Demokratike të Kosovës shikohet nga analistët si një mundësi afrimi mes PDK dhe LVV.
Bedri Hamza u zgjodh kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, gjatë Konventës së mbajtur të kësaj partie pasditen e 17 nëntorit. Hamza u zgjodh përmes votimit të hapur dhe për të nuk kishte votuar kundër. Ai nuk kishte kundërkandidat dhe zgjedhja e tij u bë pasi Memli Krasniqi disa ditë më parë dha dorëheqje nga kreu i partisë.
"Më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm, një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë", tha Hamza në fjalën e tij pas zgjedhjes. Ai tha se Kosova ka nevojë për një PDK të bashkuar, me vizion të qartë, duke premtuar se "do ta hapim partinë tonë për secilin qytetarë që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore".
Hamza, 62 vjeç, ka shërbyer dy herë si ministër i Financave i Kosovës dhe në katër vjetët e fundit e udhëhoqi komunën e Mitrovicës së Jugut. Në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 9 shkurt, ai ishte kandidati i PDK-së për kryeministër.
Konventa u zhvillua me thirrje për unitet nga Hamza dhe Krasniqi, por edhe me kritika nga nënkryetari Enver Hoxhaj. Ky i fundit e ka cilësuar procesin si jodemokratik. Hamza është zgjedhur me shumicë gati absolute të votave të 457 delegatëve prezentë. Ai ka thënë se Kosova tani ka nevojë për PDK-në e bashkuar dhe me vizion të qartë. Po ashtu, Hamza ka theksuar se nuk ka vija të kuqe për asnjë subjekt politik, teksa është pyetur nëse mund të bashkëpunojë me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë asnjëherë nuk kam vendosur vija të kuqe dhe siç e pamë edhe në këto zgjedhje në balotazh, edhe ata që kanë vënë vija të kuqe, të gjithëve u kanë rënë. Krejt me krejt u bënë bashkë. Mendoj që ne duhet të jemi të përgjegjshëm para interesit të vendit dhe gjithmonë t’i bëjmë veprimet e duhura në dobi të vendit”.
Partia Demokratike prej themelimit të saj është udhëhequr nga Hashim Thaçi deri më 2016 dhe më pas nga Veseli deri më 2020. Pas tij u drejtua për 8 muaj nga Enver Hoxhaj, e më 2021 drejtimin e saj e mori Memli Krasniqi, në një garë gjithashtu pa rivalë. (A2 Televizion)
