Peticioni në Zveçan dhe Zubin Potok, serbët mbledhin firmat për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë

Nga Xhevahir Qardaku
19 Janar 2024, 15:08 | Politikë

Kjo radhë e gjatë është mbledhur vetëm për të vendosur një firmë. Kështu nisi peticioni i komunitetit serb për shkarkimin e kryetarit të komunës së Zveçanit, Ilir Peci, që mori mandatin në zgjedhjet shumë të kundërshtuara të Prillit të kaluar.

Darko Vukashinoviç, organizatori i peticionit, tha se qytetarët i janë përgjigjur thirrjes së tij duke marrë pjesë në mënyrë masive në nënshkrimin e dokumentit. Ai shprehu bindje të plotë se do të sigurohen 1 mijë e 411 firmat e nevojshme për shkarkimin e kryetarit.

“Ftoj të gjithë qytetarët e Zveçanit që të dalin në numër sa më të madh për ta shkarkuar kryetarin e paligjshëm të Komunës së Zveçanit… Shpresoj se do ta përmbushim numrin e nevojshëm, nga 7 mijë e 52 votues sa kemi në Zveçan, na duhen 20 për qind, përkatësisht 1 mijë e 411… Pres që zveçanasit të përmbyllin këtë që e kemi filluar dhe ta largojmë uzurpatorin e Komunës", tha organizatori i peticionit në Zveçan, Darko Vukashinoviç.

I njëjti skenar është parë edhe në Zubin Potok, ku qytetarët e Kosovës nga komuniteti serb nisën peticionin për shkarkimin e kryetarit atje. Organizatorët pretenduan se do t’i sigurojnë 1 mijë e 347 firmat e nevojshme, madje edhe më shumë se aq.

Ndërkohë, të martën nisën peticionet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë edhe në Mitrovicën e Veriut dhe Leposaviq. Pas mbledhjes së firmave, ato do të verifikohen nga KQZ dhe më pas do të kalohet me shkarkimin e tyre.

Më pas presidentja Vjosa Osmani do të caktojë datën për zgjedhje në katër komunat veriore të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos