Takimi i studentëve me Ramën, Gonxhja: Kishte vajza dhe djem të cilët ishin në sintoni me kërkesat e shumë prej protestuesve

Nga A2 CNN
23 Nëntor 2026, 20:41 | Politikë

Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, zbuloi detaje nga takimi i studentëve me kryeministrin Edi Rama.

“Duhet të qetësoj të gjithë ata që janë në merak pse ne i takuam studentët dhe kush ishin këta dhe pse këta nuk janë protestues. Dua t'i them që ta marrin më me qetësi këtë histori dhe ta marrin më me pak dramë jetën. Për të mos thënë që disa prej tyre unë këshilloj që sinqerisht do ishte mirë që të gjenin një jetë aktive, të gjenin një jetë produktive, të ishin pjesë aktive e krahut të duhur të historisë në të mirë të vendit, jo domosdoshmërisht në Partinë Socialiste, por të bënin punë të mira për vendin, për veten, për shoqërinë, për sektorë të caktuar ku ata janë profesionistë, sepse ka një moment që fakti që shumë nga protagonistët kanë humbur përmbajtjen e asaj për të cilën ata janë investuar dhe po investohen, i bën që tani të ulërasin shumë për momente të cilat nuk kanë përmbajtje më, edhe gjithmonë e më shumë po humbin terren, dhe kjo po i bën që të jenë akoma dhe më shumë agresivë dhe akoma dhe më shumë kategorikë absolutë në atë që thonë. Nuk mund të jetë që janë studentë kur janë në rrugë, por nuk janë studentë kur ulen me Gonxhen; studentët nuk mund të jenë që janë në fakultet, por në fakt nuk meritojnë të jenë studentë sepse guxojnë të takohen me Këshillin Rinor Shqiptar, që është një institucion i tyre dhe që njihet nga ligji. Këshilli Rinor Shqiptar është një operator shumë më neutral, shumë më i përshtatshëm për të lidhur ambientet studentore, këshillat studentore, qeveritë studentore, ato të gjimnazeve, të universiteteve bashkë me Agjencinë Kombëtare të Rinisë”, tha fillimisht Gonxhja në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.

Sipas tij, në takim ka pasur edhe të rinj që janë pjesëmarrës në protestë.

“Ne kemi takuar përfaqësues të vërtetë shoqatash, grupimesh, të cilët punojnë dhe janë pjesë e Këshillit Rinor. Këshilli Rinor zgjidhet me votim të lirë, pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë lloj interference nga ana e qeverisë dhe janë të gjithë njerëz të cilët vijnë nga eksperienca të ndryshme, që mund të jenë me bindje të ndryshme, që mund të jenë pa bindje politike fare. Aty kishte një vajzë e cila thoshte se kishte dalë 140 ditë në protestë; Aty kishte vajza dhe djem të cilët ndoshta nuk ishin fizikisht në protestë, por të cilët ishin në sintoni me kërkesat e shumë prej protestuesve. Njëri thoshte që unë nuk jam te pjesa e momentit të gurëve dhe dhunës, sepse unë aty ndjehem në rrezik. Kanë folur për Paktin e Universiteteve, kanë folur për vitin 2018, për gjithë listën e premtimeve dhe zotimeve”, deklaroi ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos