Synimi i qeverisë së Kosovës për barazi e drejtësi nuk ka alternativë. Kështu u shpreh kryeministri Albin Kurti, me rastin e ditës ndërkombëtare të grave. Sipas tij politikat feminist po e ruajnë dhe përparojnë demokracinë.
“Synimi jonë për barazi dhe drejtësi nuk ka alternativë. Politikat feministe po e ruajnë dhe përparojnë demokracinë ngado sot. Ato e kanë fituar luftën politike sepse tash nuk ka dyshime se këto të dyja mund të ecin vetëm bashkë. Ky është shteti që punojmë për çdo ditë. Demokrat po, por edhe feminist gjithsesi”, tha Kurti.
Kryeministri kosovar tha se fuqizimi i pozitës së grave në shoqëri, e veçmas “forcimi i pozitës ekonomike të saj, janë ndër ndryshimet thelbësore që Qeveria e Kosovës ka shtyrë përpara që nga fillimi i mandatit.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës ka një hendek të madh sa i përket punësimit të grave dhe burrave. Të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2023,flasin për vetëm 18.5 për qind të grave në moshë pune të punësuar, krahasuar me51.5 për qind të burrave të punësuar. Gjatë fjalës së tij, Kurti përmendi edhe çështjen e metodës së fertilizimit të asistuar të njohur si IVF. Kjo temë kashkaktuar debat në shoqëri, teksa Kuvendi i Kosovës po shtyn votimin për Projektligjin për shëndetin riprodhues, pas kundërshtimeve të disa deputetëve për metodën që u mundëson grave të pamartuara të mund të lindin fëmijë.
“Për ne është çështje e vetëkuptueshme që gratë kanë autonomi të plotë mbi trupin e tyre, planifikimin familjar dhe lirinë për qasje të barabartë në shërbime shëndetësore”, ishte deklarata e Kurtit.
(A2 Televizion)