Juristi Bledar Dervishaj nuk sheh “asgjë të keqe” në projektligjin e propozuar nga PS, ku parashikohen përjashtime të masës pezullim nga detyra për kryeministrin dhe 6 subjekte të tjera. Duke folur në “Puls” nga Bruna Çifligu në A2CNN, Dervishaj tha se debati është i theksuar politik dhe nuk duhet bërë fare. Sipas tij ka patur një boshllëk ligjor nga Kuvendi, gjatë ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012, të cilat tashmë po plotësohen.
“Ky debat nuk duhet bërë fare sepse nëse Gjykata Kushtetuese u nda 4-4, në atë shqyrtim kushtetues të nisur nga kryeministri, ku 4 anëtarë konstatuan faktin që po ka një ndërhyrje, kemi një mosmarrëveshje të lindur, dhe 4 të tjerë mbajtën një qëndrim jo të ndryshëm, por konstatuan një boshllëk ligjor të krijuar gjatë ndryshimeve kushtetuese të vitit 2012, ku Kuvendi në pavëmendje, pavarësisht se hapi rrugën e një procedimi penal ndaj ministrit, harroi të plotësonte normën e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale, për ta saktësuar njëherë e mirë që këtu nuk mund të ndërhyhet.
Ndaj ky gabim që vet Kuvendi në 2012-ën, me harresat e tij e ka krijuar, Kuvendi tani që iu shfaq konflikti përpara po e plotëson dhe nuk ka absolutisht asnjë ndërhyrje qoftë edhe të vogël, të prishjes së balancave mes pushteteve. 4 anëtarët e Gjykatës Kushtetuese në një përshkrim që ata bënë në një njoftim të gjykatës thanë që i takon ligjvënësit kushtetues të plotësojë këtë normë, ky ishte kuptimi, detyra që lanë ata.
Nuk ka asnjë gjë të keqe, e shoh debatin të theksuar politik. Vullnet politik është një nismë ligjore, vullnet politik është edhe ky këtu, falë një kërkese te bërë evidente nga Gjykata Kushtuese, në një debat të krijuar nga shkelja e një kufiri që s’duhet të ishte kaluar nga pushteti gjyqësor”, tha Dervishaj. (A2 Televizion)