Qeveria e re e Kosovës mbajti mbledhjen e parë të enjten, në të cilën miratoi pesë marrëveshje ndërkombëtare dhe buxhetin e vitit 2026.
Në nëntor të vitit të kaluar, Kuvendi u shpërnda pa u votuar Plani i Rritjes së Bashkimit Europian në vlerë mbi 882 milionë euro dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore në vlerë mbi 120 milionë euro.
Menjëherë pas përmbylljes së votimit të buxhetit për vitin 2026 dhe të marrëveshjeve ndërkombëtare, kryeministri Albin Kurti paralajmëroi nisjen e diskutimeve me partitë e tjera politike për çështjen e presidentit.
“Pas konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së Qeverisë mbrëmë, tash jemi në hapin e tretë, votimi i buxhetit 2026 dhe i marrëveshjeve ndërkombëtare. Porsa të përfundohen këto, jam i gatshëm që nga nesër të fillojmë kontaktet dhe diskutimet me subjektet tjera politike për çështjen e Presidentit”, tha Kurti.
Dy nga pesë marrëveshjet ndërkombëtare kishin të bënin me Planin e Rritjes. Një ishte ajo e reformave që Kosova ka dakorduar me Bashkimni Europian dhe tjetra pjesa financiare e shumës mbi 882 milionë euro.
Kosova që ende nuk ka përfituar nga Plani i Rritjes po shpreson që me miratimin e kësaj marrëveshje disa prej mjeteve t’i kalojnë sa më shpejtë.
“Pagesa e parë parashihet të jetë avansi, 7% të vlerës së përgjithshme, pra që përkthehet diku tek 62 milionë euro, e siç parashihet në marrëveshje, gjysma e pagesës së disbursuar të parë shkon në kornizën për Ballkanin Perëndimor investive, ndërkaq gjysma tjetër vjen si mbështetje direkte buxhetore” , tha ministri i Financave, Hekuran Murati.
Qeveria e riprocedoi në Kuvend, edhe Projektligjin e Buxhetit për vitin 2026, të cilin e kishin miratuar edhe më 31 tetor të vitit të kaluar sa ishte në detyrë.
Por gjithashtu miratuan një kërkesë ndaj Kuvendit, që përmes një vendimi të autorizojë zgjatjen e zbatimit të Ligjit për Ndarjet Buxhetore të vitit të kaluar fiskal, edhe për muajin mars 2026.
“Meqenëse ndërkohë ka pagesa të tjera që duhet të bëhen gjithashtu miratuam kërkesën drejtuar Kuvendit për zgjatjen edhe të muajit mars në mënyrë që të sigurohemi që disa prej pagesave që janë të nevojshme të bëhen tash”, tha Murati.
Vlera e buxhetit për vitin 2026 është në vlerë prej 4 miliardë euro, por që u paralajmërua se i njëjti do të rishikohet për shkak të ndryshimeve në kabinetin qeveritar. (A2 Televizion)