Raportimi i Kurtit, përplasje të forta në Kuvendin e Kosovës mes mazhorancës dhe opozitës

Nga A2 CNN
2 Dhjetor 2024, 19:30 | Politikë

Partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës kanë akuzuar mazhorancën për qeverisje të dobët dhe të zhytur në korrupsion.

Nga largimi i të rinjve, tek arsimi, shëndetësia, ekonomia dhe raportet me ndërkombëtarët e masat ndëshkuese të Bashkimit Europian, sipas tyre, Kurti është bërë përgjegjës që vendi ka shënuar regres.

“Ne nga qershori i vitit 2023 e deri sot që po flasim të vetmen mjete që BE-ja i shpenzon në Kosovë janë pagat e stafit. Asgjë tjetër. Këtu e ka sjell subjektivitetin ndërkombëtarë kryeministri ynë. Më e dhimbshme se kjo është raporti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Abelard Tahiri, shef i GP të PDK.

Lidhja Demokratike numëroi dështimet e Kurtit, sipas tyre, përfshirë edhe ato në infrastrukturë.

“Autostrada Prishtinë-Gjilan dështim, autostrada Prishtinë-Podujevë dështim, autostrada Prishtinë-Mitrovicë dështim, autostrada Prishtinë-Pejë dështim, autostrada Klinë-Gjakovë dështim. Pra infrastruktura dhe kreministri dështim. [...] Deri tani ky kryeministër mund të kualifikohet paaftësi, dështim, korrupsion dhe krim”, tha Arben Gashi, shef i GP të LDK-së.

Kontratat me negocim, debatet për rezervat shtetërore apo për energjinë e importuar u theksuan si afera të rënda korrupsioni nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

“A je në dijeni për kontratat njëburimore dhe a janë me urdhër tënd? Dil tregona këtu cila është lidhaj jote me Martinin [Berisha, ambasador i Kosovës në Kroaci i përfolur për afera me energji], me rezervat shtetërore, korrupsionin, me Nagipin [Krasniqi, ish-kryeshef i KEK i akuzuar për korrupsion], me rrymën, dil tregoi qytetarëve të Kosovës çfarë ke bërë ti për të ulur koston e jetesës”, tha Besnik Tahiri, shef i GP të AAK-së.

Në lidhje me kontratat me negocim apo njëburimore, Kurti tha se gjithçka është e ligjshme.

“Qeveria jonë nuk ka bërë gjëra të paligjshme, ekziston mundësia ligjore për të pasur cilësi më të lartë e kosto më të ulët nëpërmjet procedurës së negociuar të tenderimit”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.

Pas lëvdatave me investimet në mbrojtje, Qeveria e Kurtit u akuzua nga opozita se ka lënë ushtarët pa bukë ose të kequshqyer.

“Në asnjë moment, në asnjë rast ushtarët e Kosovës nuk kanë mbetur pa ushqim. Në asnjë moment dhe asnjë rast nuk ka pasur të shërbyer ushqim i cili nuk ka qenë në përputhje me standrdetq ë kërkohen për ushqeyrjen e ushtarëve”, tha Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.

Kryeministri Kurti gjithashtu ka kritikuar tre kryetarët e partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK se nuk morën pjesë në seancën ku u diskutua për punën e tij dhe as në seancën për buxhetin.

Kurti bëri kritika të forta edhe për kryeprokurorin Blerim Isufaj si dhe për Këshillin Gjyqësor për të cilët tha se mungesa e punës së tyre sjell ngecje në sistemin e drejtësisë, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos