Qeveria në detyrë e Kosovës ka miratuar të mërkurën nismën për lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan A2 CNN. Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se kjo marrëveshje ka për qëllim që të dyja palët të angazhohen në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes.
“Ministria e Mbrojtjes mbi bazën e objektivave dhe planifikimeve strategjike në bashkëpunim me shtetet aleate, në koordinim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka iniciuar lidhjen e marrëveshjes kornizë për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuar nga Departamenti i Mbrojtjes. Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të dyja palët të angazhohemi në avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, si planifikim i mbrojtjes, qëndrueshmëri strategjike dhe ngritje të kapaciteteve strategjike ushtarake. Një hap i tillë i bashkëpunimit është ndërmarrë në përputhje me qëllimet e integrimit më të gjerë euroatlantik, cenimit për sigurinë, rritjen e ndërveprueshmërisë gjithmonë duke u mbështetur në partneritetin e fortë ekzistues në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”.
Qeveria i dha dritën e gjelbër edhe marrëveshjes së përgjithshme të sigurisë me Slloveninë, për shkëmbimin dhe mbrojtjen e ndërsjellë të informacionit të klasifikuar. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo marrëveshje është hap i rëndësishëm.
“Arritja e marrëveshjes për sigurinë në fushën e mbrojtjes së informacionit të klasifikuar mes Kosovës dhe Sllovenisë është hap i rëndësishëm me ndikim në disa aspekte. Forcimi, bashkëpunimi dypalësh, sigurimi i informacioneve të klasifikuara, përmirësimi i kapaciteteve institucionale dhe mbështetja për integrim euroatlantik”.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë miratuar tri marrëveshje mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se marrëveshja e parë është për transferimin e personave të dënuar.
“Qëllimi i kësaj marrëveshje është përmirësimi i mëtejshëm i bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e drejtësisë, vendosja e drejtësisë dhe rehabilitimi social i personave të dënuar, duke mundësuar ekzekutimin e sanksioneve penale në shtetin vendbanimit të përhershëm të personit të dënuar. Kjo marrëveshje rregullon ekzekutimin e vendimeve gjyqësore përmes transferimit të personit dënuar në rastet kur një shtetas i shtetit të administrues është duke vuajtur dënimin në shtetin dënues dhe kërkon transferimin në shtetin administrues me qëllim të rehabilitimit social”.
Marrëveshja e dytë e miratuar është nisma për marrëveshjen për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështje penale mes Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Ndërkaq, marrëveshja e tretë është për ekstradim, për çka Haxhiu tha se bazohet në zotimin e Kosovës për të zhvilluar partneritet evropian.
(A2 Televizion)