Vetëvendosje do rivotim të diasporës, ekspertët: Kjo do të zvarriste konstituimin e institucioneve

Nga Ideal Gola
11 Mars 2025, 21:01 | Politikë

Rikthimi në pikën zero i votimit të diasporës përmes postës do të shtynte formimin e institucioneve të reja me dy muaj. Lëvizja Vetëvendosje është ajo që po kërkon që votimi me postë të përsëritet për shkak të pretendimeve për manipulim me vota nga ana e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Rivotimi shihet si proces shumë i ndërlikuar.

“Një kërkesë e tillë i jep një njollë të keqe në tërësi edhe procesit zgjedhor në Kosovë, për shkak se e legjitimon lëndimin e procesit, integritetin e procesit, që nga fakti se nuk janë pak vota ato të diasporës. Në tërësi, janë diku 80-90 mijë vota,” tha Vullnet Bugaqku, KDI.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si shkallë e parë për zgjidhjen e ankesave që kanë të bëjnë me zgjedhjet, nuk i dha të drejtë Vetëvendosjes, duke thënë se kërkesa ishte dorëzuar me vonesë. Partia e Kurtit ka konfirmuar se do të vijojë betejën në shkallën e dytë, në Gjykatën Supreme. Sipas tyre, të gjithë ata që e kanë organizuar skemën e manipulimit duhet të nxirren para drejtësisë.

“Shkeljet e shumta dhe manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet. Vota dhe vullneti i lirë i votuesve duhet dhe do të mbrohen. Integriteti i procesit zgjedhor duhet të garantohet përmes anulimit të fletëvotimeve të dërguara përmes postës dhe organizimit të procesit të rivotimit,” tha Lëvizja Vetëvendosje.

Një rivotim i mundshëm do të shtynte konstituimin e Kuvendit dhe Qeverisë së re që duhet të dalin pas zgjedhjeve.

“Do ta zvarrisë së paku edhe për një muaj procesin e shpalljes së rezultateve, e pastaj hyn faza e ankesave, sepse pasi të përfundojë rivotimi, afatet e ankesave janë të njëjta sikurse votimi për herën e parë, dhe kështu do të zvarritet procesi i themelimit të institucioneve, mbase edhe për dy muajt e ardhshëm,” u shpreh Bugaqku.

Në lidhje me votat e diasporës, i vetmi vendim që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa mori ishte që 1,613 fletëvotime që ishin shpallur të pavlefshme të rivlerësohen edhe njëherë dhe të përfshihen në rezultat përfundimtar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos