Shqipëria kërkon nga Kosova themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe pasi siç thuhet Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dhënë garanci se nuk do të ketë kompetenca ekzekutive.
Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ambasadori i ri i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj thekson se Kosova duhet të ndërmarrë hapat për të punuar në projektstatutin e prezantuar në tetor nga emisarët euro-amerikanë.
Malaj thekson se Shqipëria mbështet fuqishëm Kosovën për zbatimin e marrëveshjes bazë dhe do të vazhdojë të luajë rolin e saj për të nxitur paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin. Diplomati shqiptar në Prishtinë, Malaj në një intervistë për KosovaPress, ka folur edhe për marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes këtyre dy vendeve, si dhe për hekurudhën Durrës-Prishtinë dhe ndikimin e saj në aspektin ekonomik në të ardhmen.
Ambasadori Malaj ka theksuar se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë në aspektin politik konsiderohen të jenë ndër më të mirat e mundshme që prej shpalljes së pavarësisë më 2008.
Diplomati shqiptar, Petrit Malaj thekson po ashtu se mbi 50 marrëveshje të nënshkruara mes dy qeverive shqiptare kanë nisë të zbatohen. Sa i përket hekurudhës Prishtinë – Durrës, një muaj më parë është shpallur kompania fituese e cila do të realizojë studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore, e cila pritet te këtë ndikim të rëndësishëm në ekonominë e dy vendeve, Kosovë-Shqipëri.
Këtë projekt për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, Malaj e ka quajtur madhor për zhvillim ekonomik. /Kosovapress (A2 Televizion)