
Sot, në orën 24:00 përfundon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, ndërsa partitë politike parlamentare po vazhdojnë përpjekjet e tyre për të gjetur një marrëveshje lidhur me këtë çështje.
Ndërkohë, zhvillimet e ditës së hënë ishin tensionuese me protesta (ndërhyrje nga policia me gaz-lotsjellës) në Prishtinë deri në orët e vona nga ku u kërkua që të votohet edhe në Leximin e dytë Projektligji për ndryshimet e Ligjit për Specialen.
Dje, në një seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës, me 91 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në parim Projektligji për ndryshimet e Ligjit për Specialen.
Pas kësaj seance, Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti zhvilloi takim me të parin e PDK-së, Bedri Hamzën, por që nuk rezultoi me marrëveshje për presidentin dhe Ligjin për Specialen.
Protesta janë paralajmëruar edhe sot nga OVL-UÇK, me kërkesën për miratimin e Ligjit për Specialen në leximin e dytë.
Sipas afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, procesi për zgjedhjen e presidentit të ri duhet të përfundojë deri më 6 tetor.
Kosova, në dy vitet e fundit ka mbajtur tri palë zgjedhje. Të tria këto procese kanë qenë zgjedhje parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, nuk rezultuan në formimin e një qeverie, ndërsa zgjedhjet e dyta, më 28 dhjetor 2025, përfundoi në një bllokim institucional mbi zgjedhjen e një presidenti dhe në fund në shpërbërjen e parlamentit në prill. Kështu si rrjedhojë e kësaj, zgjedhjet e treta u mbajtën edhe më 7 qershor 2026.
Ndërkohë, në një aktgjykim të 23 shtatorit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës sqaroi se afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit ka nisur më 8 gusht, nga dita kur u konstituua Kuvendi, dhe përfundon më 6 tetor.
Vendi rrezikon sërish të shkoj në zgjedhje nëse nuk zgjidhet presidenti deri sot në orën 24:00. (A2 Televizion)