Takimi i parë mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nuk solli ndonjë zgjidhje për çështjen e presidentit, shkruan A2CNN.
Të hënën, në ambientet e Parlamentit të Kosovës, të dy liderët politikë qëndruan mbi dy orë, por ndanë pak detaje për diskutimet.
“Zgjedhjet nuk i do askush, as Lidhja Demokratike e Kosovës. Po provojmë që, nëpërmjet takimeve, të gjejmë një zgjidhje të përbashkët. Nuk kemi ndonjë lëvizje të re, ndonjë rrethanë të re politike nga ky takim i sotëm. Jemi transparentë me ju dhe me njëri-tjetrin. Takimet do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim”, tha Abdixhiku.
Qëndrimi i Abdixhikut kundër zgjedhjeve e mbushi me optimizëm kryeministrin Kurti, i cili tha se ka shpresë për një zgjidhje për emrin e presidentit brenda 28 prillit.
“Unë vazhdoj të jem optimist se, me takime dhe bisedime të tilla, do të mund të arrijmë një marrëveshje politike, por këtë nuk mund ta them që e kemi sot. Veçse atmosfera konstruktive, në njërën anë, dhe dashamirësia që t’i shmangim zgjedhjet e reja, që nuk janë zgjidhje e re, në anën tjetër, më bën optimist për këto tri javët e mbetura”, u shpreh kryeministri Kurti.
Abdixhiku konfirmoi se nuk kanë ndryshuar qëndrim sa i përket përkatësisë politike të presidentit të ardhshëm, që i njëjti nuk duhet të vijë nga Lëvizja Vetëvendosje.
Gjithashtu, ai paralajmëroi se do të takojë edhe kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe atë të AAK-së, Ramush Haradinaj, për të kuptuar qëndrimet e tyre.
“Çdo marrëveshje që siguron kuorumin e domosdoshëm për presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës është e mirëseardhur. Për këtë arsye duhen diskutime me të gjitha partitë politike për të pasur siguri, por, në të kundërtën, çdo marrëveshje që siguron minimumin e votave të nevojshme është e mjaftueshme, kushdo që qoftë rreth saj. Jo, nuk kemi diskutuar ende emra konkretë. Siç e dini, procesi është i nisur, janë dy kandidatura. LDK-ja vazhdon të besojë që të tri pozitat nuk mund t’i takojnë një partie politike”, u shpreh Abdixhiku.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se do të përpiqet të zhvillojë një takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza, por theksoi se nuk duhet të ketë këmbëngulje për një marrëveshje që parashikon që presidenti i ardhshëm të vijë nga kjo parti.
“Uroj që, në komunikimet dhe takimet në vijim me kryetarin e PDK-së, kjo të ndryshojë, sepse nuk mund të ketë marrëveshje politike për presidentin e ardhshëm përderisa nuk e thua asnjëherë, askujt, asnjë emër”, tha Kurti.
Me vendim të Gjykatës Kushtetuese, Parlamenti i Kosovës ka kohë deri në fund të këtij muaji të zgjedhë kreun e ri të shtetit; në të kundërt, vendi shkon në zgjedhje të reja.
Deri më tani, me firmat e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, janë dy kandidatura: ajo e Glauk Konjufcës dhe Fatmire Kollçakut. (A2 Televizion)