Vendimi i Kushtetueses, nënkryetari serb i Kuvendit duhet të propozohet nga LS

Nga Ideal Gola
29 Janar 2026, 23:07 | Politikë

Vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit serb të Kuvendit të Kosovës solli një zhvillim të ri në prag të konstituuimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

Kushtetuesja konstatoi se zgjedhja e Nenad Rashiq në legjilsaturën e kaluar ishte antikushtetuese. Nenad Rashiq nuk u propozua nga shumica e deputetëve serbë dhe nuk mori as shumicën e votave të këtij komuniteti, shkruan A2.

Në situatën aktuale, Lista Serbe sërish do të ketë shumicën në Parlamentin e ri dhe do të ketë të drejtën e propozimit të kandidatit për nënkryetar të Kuvendit.

Naim Jakaj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha: “Kuvendi i Kosovës do të gjendet në situatën kur do të duhej që deputetin nga radhët e këtij komuniteti ta votojë detyrimisht në seancë në mënyrë që përfaqësimi i këtij komuniteti të bëhet në kryesinë e Kuvendit të Kosovës”.

Lëvizja Vetëvendosje ka shprehur mbështetje për Nenad Rashiq që të jetë sërish nënkryetar, por kjo duhet të vijë vetëm si propozim përmes shumicës së deputetëve serbë, që i takojnë Listës Serbe: “Nëse kryetari apo kryetarja e ardhshme e Kuvendit nuk e zbaton këtë aktgjykim ajo e shpërfill këtë aktgjykim, e shkel këtë aktgjykim, e shkel Kushtetutën e Kosovës dhe në situata të tilla do të duhej të intevrenohej sërish nga ana e Gjykatës Kushtetuese”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha, i ka quajtur konstatimet e Kushtetueses të pabaza dhe ka thënë se procedura për zgjedhjen e Rashiqit është në përputhje të plotë me Rregulloren e Kuvendit dhe Kushtetutën. 

“Ky qëndrim është më shumë politik sesa juridik dhe nuk do t'i kontribuojë të përafrimit të Kosovës me aplikimin për Këshill të Europës kur do të vijë koha në muajin maj sepse një qëndrim i tillë do të evidentohet, do të dërgohet dhe do të përmendet në raportet ndërkombëtare si një gjë e cila e cenon sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve”, thotë Jakaj.

Sipas aktgjykimeve të kaluara të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes se kryetarit dhe të pesë nënkryetarëve, tre prej të cilëve vijnë nga partitë më të mëdha shqiptare dhe dy nga komunitetet pakicë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos