Lëvizja Vetëvendosje insiston që votimi me postë duhet të përsëritet nga e para. Kjo kërkesë e tyre erdhi pas rezultatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, që sipas tyre, është i manipuluar.
Ankesa e partisë së Kurtit u hodh poshtë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për arsye se ishin dërguar me vonesë, ndërsa kodi elektoral kërkon që ajo të dorëzohet më së largu 48 orë kur ka ndodhur shkelja e pretenduar, shkruan A2 CNN.
Sipas PZAP, përfundimi i numërimit për votat e diasporës të ardhura me postë janë mbyllur me datë 4 mars në ora 16:00, ndërsa i gjithë procesi i numërimi për votat e tjera ka përfunduar më 6 mars në ora 21:00.
Megjithatë, Lëvizja Vetëvendosje do të ankohet në shkallën e dytë, në Gjykatën Supreme. “Ne i kemi të dyja afatet në dispozicion, një e kemi afatin të ankohemi në vendimin e PZAP sepse e ka hap derën PZAP ligjërisht 48 orë, por ne kemi të drejtë të bëjmë ankesë edhe pas shpalljes së rezultate përfundimtare, të dyja tash i kemi te hapura”, tha Sami Kurteshi, Lëvizja Vetëvendosje.
Vetëvendosje pretendon se ka pasur shkelje të shumta e manipulim flagrant të procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së që kanë çuar në rritjen e saj me 400%.
Ata thonë se vota dhe vullneti i lirë i votuesve duhet dhe do të mbrohet dhe integriteti i procesit zgjedhor duhet të garantohet përmes anulimit të fletëvotimeve të dërguara përmes postës dhe organizimit të procesit të rivotimit.
“Ne do të ankohemi në lidhje me çështjen e rivotimit me postë nga bota e jashtme për mërgimtarët, për arsye se kemi nxjerrë shumë dëshmi, fakte, prova, se ai proces është tërësisht i kontaminuar”, tha Kurteshi.
Në lidhje me këto shkelje të pretenduara, Vetëvendosje ka njoftuar edhe policinë dhe prokurorinë, por nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse ka nisur ndonjë hetim. (A2 Televizion)