Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte dhe një delegacion do të qëndrojnë të martën në Kosovë ku do të priten nga liderët e shtetit. A2 CNN ka zbardhur agjendën, ku mësohet se në orën 13:45 ai do të pritet nga presidentja Vjosa Osmani dhe pas takimit do të mbajnë konferencë për media, ndërsa me kryeministrin Albin Kurti, kreu i NATO-s do të takohet në orën 14:50.
Për mbërritjen e Rutte-s në Prishtinë, Policia e Kosovës ka njoftuar se do të kujdeset për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe të qëndrimit të delegacionit të lartë të NATO-s.
Pas takimit me liderët e institucioneve të Kosovës, Rutte, i shoqëruar nga ambasadorët e vendeve anëtare të kësaj aleance, do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it, Enrico Barduani, ambasadorin e BE-së, Aivo Orav, shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano e shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-së në nisje të turit të parë në Ballkanin Perëndimor tha nga Bosnjë-Hercegovina se nuk do të lejojnë të rrezikohet paqja në këtë shtet.
Pas kërcënimeve të entitetit të Republikës Serbe për shkëputje, Rutte e bëri të qartë se NATO-ja mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Bosnjës dhe Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit. (A2 Televizion)