Lëvizja Vetëvendosje është duke pritur numërimin e votave të diasporës si përcaktuese për t’i dhënë mandatet e nevojshme për të formuar Qeverinë e re.
Gjatë mbledhjes së Qeverisë së Kosovës, kryeministri Albin Kurti falënderoi të gjithë votuesit e regjistruar nga diaspora që morën pjesë në zgjedhje që sipas tij u bënë pjesë e pandashme e vendimmarrjes për vendin.
“Të gjithë presim nga Komisioni Qendror Zgjedhor edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve për të përmbyllur kësisoj një proces zgjedhor të lirë, të rregullt, të ndershëm e demokratik, me pjesëmarrje masive të qytetarëve, për çfarë falënderoj secilën dhe secilin”, deklaroi kryeministri Kurti.
Kurti tha se po presin rezultatet përfundimtare për subjektet politike që janë paralajmëruar që të shpallen gjatë javës së ardhshme para se të fillojë puna për formimin e institucioneve të reja.
“Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, nga ne qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e 9-të. Deri atëherë nga ju, të nderuar kabinet qeveritar, pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me po të njëjtin ritëm”, u shpreh Kurti.
Me rezultatet e numëruara nga qendrat e rregullta Lëvizja Vetëvendosje ka fituar rreth 41% të votave, ose 47 mandate. Ndërsa kanë mbetur për t’u numëruar edhe rreth 95 mijë vota nga diasporës, me kusht dhe atyre me nevoja të veçanta. (A2 Televizion)