Krijimi i një komisioni për të hetuar disa shqetësime të ngritura në lidhje me procesin e votimit kanë përplasur Lëvizjen Vetëvendosje dhe Partinë Demokratike të Kosovës në mbledhjen e së martës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
PDK kërkoi që paralelisht me prokurorinë të hetohet nga vet KQZ pretendimet për “trenin bullgar” në një shkollë në Gjakovë. Ndërsa u ngrit edhe një tjetër shqetësim për një kuti me vota në Mitrovicë.
“Kutia 020706 [v.j. në Gjakovë] e cila është objekt hetimi, ajo kuti është numëruar. Kërkoj që të largohet nga rezultati deri në një hetim përfundimtar. Kemi një problem edhe me kutinë 110207 në Mitrovicë edhe kjo duhet të trajtohet e të hetohet nga një komision që ju do të duhet ta bëni”, tha Ilir Gashi, anëtar i KQZ, PDK.
Kundër ishin përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje që thanë se me kërkesa të tilla po cenohet besueshmëria ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
“Për kutinë në Gjakovë organet [e hetuesisë] janë duke u marrë dhe ne nuk kemi nevojë me ndërmarrë një veprim tjetër. Sa i përket rastit të Mitrovicës me sa jam i informuar prej drejtorit të operacioneve zgjedhore por edhe prej vetë KKZ dhe IKKZ-së ata kanë dërguar një raport mbi këtë kuti dhe përveç problemeve teknike që ka kjo kuti asnjë problem tjetër për sa i përket procesit nuk është raportuar”, tha Alban Krasniqi, anëtar i KQZ, LVV.
Një tjetër hetim u kërkua edhe për votimin për personat me nevoja të veçanta, ku PDK pretendoi për shkelje për votimet në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ku personat e hospitalizuar ishin regjistruar për të votuar.
“Edhe një çështje tjetër, votimi në QKUK të dielën ku është bërë deri në orën 23:00-23:30 në procedurë antiligjore sepse votimet mbyllen në ora 19:00 në bazë të ligjit”, u shpreh Ilir Gashi, anëtar i KQZ, PDK.
“Shumë qytetarë që janë regjistruar nuk kanë mund të realizojnë të drejtën e tyre të votimit sepse shërbimet nuk janë ofruar apo kanë filluar të ofrohen me vonesë si në rastin e Prishtinës diku në ora 18:30, pra gjysmë ore pa u mbyll koha e votimit”, tha Alban Krasniqi, anëtar i KQZ, LVV.
Hetime u kërkua edhe për 729 votues që gjatë periudhës së regjistrimit ishin përcaktuar që të votojnë në qendrat e votimit të hapura në ambasada dhe konsullata jashtë vendit por kishin dërguar votën e tyre edhe përmes postës. KQZ tha se do të konfirmojë përmes listës së votuesve për të konfirmuar nëse ka ndonjë votim të dyfishtë. (A2 Televizion)