Vetëvendosje fiton zgjedhjet, Albin Kurti: Historike! Tani na presin shumë punë përpara

Nga A2 CNN
28 Dhjetor 2025, 22:34 | Politikë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se rezultati i zgjedhjeve të 28 dhjetorit është më i thelli në historinë e Kosovës.

“Fitoi populli i Kosovës dhe Republika. Urime fitorja më e madhe në historinë e vendit. Tani na presin shumë punë përpara. Rezultati i sotëm tregon se duhet të ecim para pa vonesa. Sa më parë të certifikohet rezultati aq më shpejt do të vijojmë me projektet”, tha Kurti në konferencën e parë për mediat pas shpalljes së rezultatit paraprak, përcjell A2 CNN.

“Ftoj nga tani partitë opozitare për bashkëpunim në Kuvend për marrëveshjet ndërkombëtare, për ligjet e mira dhe për interesin publik të qytetarëve të Republikës. Edhe një herë urime, secilit pa dallim, fitoren historike, që është në rrugë të mbarë të tejkalojë edhe 14 shkurtin 2021. Ishte një ditë e gjatë përveçse e bukur dhe e rëndësishme”, shtoi ai.

Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 49,79% të votave në zgjedhjet e parakohshme të Kosovës, të zhvilluara këtë të diel. Rezultati paraprak i publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e nxjerr partinë e Albin Kurtit forcë të parë, ndjekur nga PDK 21,19%, LDK me 13,77% dhe AAK me 5,74%. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos