Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, do të ketë sot takim dhe drekë pune me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron. Njoftimi erdhi nga zyra për informim e qeverisë, e cila konfirmoi se shefi i ekzekutivit udhëtoi sot për Paris.
Ky udhëtim dhe ky takim, është i pari i Kurtit që kur e mori mandatin e tretë si kryeministër. Zyra për informim nuk ka dhënë detaje për agjendën, por mbrëmë presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u krenu se ka informata ekskluzive për takimin, shkruan A2.
“Ne kemi njerëzit tanë në rrethin e Kurtit dhe kemi marrë axhendën e tij për bisedën me Macronin”, pretendoi ai, duke shtuar se Kurti do t’i prezantojë dy kërkesa para Macronit. Sipas tij, e para që është që Franca ta kushtëzojë Serbinë të mos përdorë armë kundër shqiptarëve dhe e dyta: të mbështesë propozimin që NATO-ja të largohet nga Zona e Sigurisë Tokësore në kufirin me Serbinë dhe që Forcat e Sigurisë së Kosovës ta marrin përsipër këtë detyrë.
“Do të flas me presidentin Macron në veçanti. Nuk do ta shqetësoj atë para bisedës së rëndësishme me Kurtin, por kur të mbarojë, do t’i dërgoj një mesazh”, shtoi Vuçiç. (A2 Televizion)