“Protestat do përshkallëzohen”, Bardh Spahia: Qytetarët reaguan kundër institucioneve të kapura

Nga A2 CNN
23 Mars 2026, 20:43 | Politikë
 

I ftuar në emisionin “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN, deputeti i opozitës, Bardh Spahia, tha se protestat në vend do të vijojnë të përshkallëzohen, duke i cilësuar ato si pjesë e një lëvizjeje më të gjerë qytetare kundër qeverisë.

Sipas tij, protesta e fundit kishte një simbolikë të fortë për Partinë Demokratike dhe opozitarizmin në Shqipëri, duke qenë pjesë e valës së protestave të nisura me synimin për largimin nga pushteti të qeverisë së Edi Ramës.

“Ajo e djeshmja ishte një protestë me një simbolikë të fortë për Partinë Demokratike dhe për opozitarizmin në Shqipëri. Në fakt, është në vazhdën e asaj vale protestash që ka iniciuar tashmë Partia Demokratike dhe opozita shqiptare me synimin final për të larguar nga qeverisja Edi Ramën,” u shpreh Spahia.

Ai shtoi se kjo lëvizje tashmë ka marrë përmasa më të gjera dhe po shndërrohet në një reagim mbarëqytetar, duke u rritur në intensitet dhe pjesëmarrje.

“Është një lëvizje tashmë mbarë qytetare e cila po përshkallëzohet, po rritet në intensitet, në pjesëmarrje, por edhe në diversifikim,” tha ai.

Sipas Spahisë, ndryshimi i formave të protestës tregon se qytetarëve u është lënë më shumë hapësirë për të shprehur reagimin e tyre ndaj institucioneve.

“Ju la në dorë qytetarëve shqiptarë të reagonin, të tregonin prezencën e tyre, reagimin e tyre karshi institucioneve të cilat i konsiderojnë të kapura tashmë nga krimi i organizuar dhe mafia në pushtet,” deklaroi ai.

Ai theksoi gjithashtu simbolikën e datës 22 mars, duke e lidhur me vlera historike dhe demokratike që, sipas tij, mbeten thelbësore për opozitën.

“Ishte një simbolikë e fortë edhe për faktin se u zhvillua me datën 22 mars, një datë historike që evokon vlerat dhe parimet të cilat opozita shqiptare i ka të shenjta,” u shpreh Spahia.

Në përfundim, ai bëri thirrje për reagim më të gjerë qytetar në mbrojtje të institucioneve demokratike dhe dinjitetit personal.

“Thirrja për qytetarët ishte të reagojnë masivisht në mbrojtje të institucioneve demokratike të kapura dhe në mbrojtje të dinjitetit të tyre personal kundrejt një qeverisjeje krejtësisht të papërgjegjshme,” përfundoi Spahia. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos