
Gjykata Supreme e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara të gjitha ankesat administrative të paraqitura kundër vendimeve të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.
Në një komunikatë për media, Gjykata njofton se ka vendosur për gjithsej gjashtë ankesa administrative, duke i lënë në fuqi vendimet e PZAP-së në të gjitha rastet.
Me aktgjykimin AA.nr.6/2026, është refuzuar ankesa e Partisë Rome e Bashkuar e Kosovës, e cila kishte kontestuar rezultatet e përgjithshme të zgjedhjeve, duke pretenduar parregullsi në numërimin e votave në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve. Gjykata ka vlerësuar se pretendimet për mospërputhje të votave me numrin e banorëve të komunitetit rom nuk qëndrojnë, pasi përfaqësimi politik i këtij komuniteti është siguruar edhe përmes votave të qytetarëve nga komunitetet e tjera.
Është refuzuar edhe ankesa e Koalicionit PAI–PDAK–LPB, me aktgjykimin AA.nr.7/2026. Ky koalicion kishte kërkuar shfuqizimin e vendimit të PZAP-së dhe rinumërim të plotë të votave, por Gjykata Supreme ka konstatuar se ankuesi nuk ka paraqitur asnjë provë që do të dëshmonte shkelje apo manipulime në procesin e votimit.
Me aktgjykimin A.A.nr.8/2026, Gjykata ka refuzuar ankesën e Emilija Rexhepit nga Nova Demokratska Stranka, e cila kishte kërkuar anulimin e 85 votave për subjektin “Koalicija Vakat” në një vendvotim në Velezhë, në kuadër të mandatit të rezervuar për komunitetin boshnjak. Gjykata ka theksuar se anulimi i votave pa prova konkrete do të cenonte sigurinë juridike dhe besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor, duke krijuar precedent të rrezikshëm.
Në një rast tjetër, me aktgjykimin A.A.nr.9/2026, është refuzuar ankesa e Nova Demokratska Stranka, e cila kishte kërkuar anulimin e votave për subjektin “Za Slobodu, Pravdu i Opstanak” në disa vendvotime në Prizren. Gjykata ka vlerësuar se ligji zgjedhor nuk e kushtëzon vlefshmërinë e votës me përkatësinë etnike të votuesit, por me regjistrimin e tij të ligjshëm dhe ushtrimin e të drejtës së votës sipas procedurave.
Gjykata Supreme ka refuzuar gjithashtu dy ankesa të kandidatit për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu. Me aktgjykimin AA.nr.10/2026, është vërtetuar vendimi i PZAP-së lidhur me ndarjen e mandateve në bazë të kuotës gjinore, duke konstatuar se PDK, me 22 mandate të fituara, e ka përmbushur kuotën minimale prej 30 për qind për gjininë e nënpërfaqësuar. Ndërsa me aktgjykimin A.A.nr.11/2026, Gjykata ka refuzuar ankesën për anulimin e votave me postë të pranuara pas afatit ligjor, duke theksuar se ato janë pranuar në bazë të një vendimi të KQZ-së, i cili nuk është kontestuar brenda afateve ligjore dhe ka prodhuar efekte të plota juridike.
Gjykata Supreme ka theksuar se vetëm shkeljet e provuara, konkrete dhe të rënda që ndikojnë drejtpërdrejt në rezultatin zgjedhor mund të justifikojnë ndërhyrje në rezultatet e votimit, ndërsa pretendimet e përgjithshme dhe të pambështetura me prova nuk përbëjnë bazë ligjore për anulimin e votave. (A2 Televizion)