Mitrovicë veri dhe Zveçan, Lista Serbe pushon nga puna shqiptarët

Nga Ideal Gola
5 Shkurt 2026, 19:30 | Politikë

Punëtorët shqiptarë që punojnë në katër komunat veriore po largohen nga puna. Ky veprim po vjen pas ardhjes në pushtet të Listës Serbe.

Vedat Musa është një prej dy zyrtarëve të komunës së Zveçanit që është larguar nga puna me vendim të kryetarit Dragisha Milloviç.

Musa tregon se ai është larguar me arsyetimin se nuk ka treguar performancë, pavarësisht se kishte pasur vlerësime pozitive për pesë muaj para se të vijë në pushtet Lista Serbe.

“Paramendojeni, ai e kishte marrë vendimin për shkëputjen e kontratës së punës dhe më pas më pyeste si e kam emrin dhe në cilën drejtori punoj. Kjo tregon se ai nuk e ka pasur idenë se kush jam dhe çfarë pune bëj, e jo më të marrë vendim për shkarkimin tim nga puna”, tregon Vedat Musa.

Pa asnjë arsyetim të bazuar, nga puna janë larguar edhe 14 punëtorë shqiptarë nga Komuna e Mitrovicës së Veriut me vendim të kryetarit Millan Radojeviç.

Zyrtarët shqiptarë në Mitrovicë të Veriut thonë se ndaj shqiptarëve po aplikohen standarde të dyfishta.

“Janë 11 ushtrues detyrave të cilët janë larguar arbitrarisht, gjithashtu edhe nga Zyra e Komuniteteve janë larguar 3 shqiptarë të cilët nuk i kanë përmbushur sipas tyre 6-mujorin në të cilin duhet të vazhdojnë tutje por të tillë kemi edhe nga komuniteti serb të cilët nuk e kanë përmbushur 6-mujorin por të cilët nuk largohen”, thotë Aida Doli, zëvendëskryetare e Asamblesë nga Komuniteti Shqiptar.

Këto veprime kanë ngjallur frikë te punonjësit e tjerë shqiptarë që druajnë se mund të mbesin pa punë.

“Normalisht që nëse i largon nga puna vetëm pse janë shqiptarë pa asnjë masë disiplinore, pa asnjë gabim nga ana e tyre, është shumë shqetësuese kjo tendencë e qeverisjes së re që është duke e bërë tani”, vijon Doli.

Përpos largimit të punonjësve shqiptarë nga komunat veriore, në Mitrovicë të Veriut ka filluar shfuqizimi i vendime të tjera. Fillimisht, është marr vendim për t'u larguar nga Asociacioni i Komunave të Kosovës si dhe të ndryshohet vendimi për riemërimin e rrugëve në mbi 80 rrugë të Mitrovicës së Veriut.

“Të gjitha procedurat për këto dy pika, si për Asociacionin dhe për shfuqizimin e emërimit të rrugëve kanë bërë shkelje procedurale të cilat besoj që ministritë do t'i evidentojnë këto shkelje procedurale të cilat duhet të kthehen mbrapsht për shkak se përveç ngutit vetëm t'i shfuqizojnë dhe të dalin mirë para Beogradit këta i shkelin edhe procedurat”, thekson Doli.

Pas zgjedhjeve lokale në vjeshtën e vitit të kaluar, Lista Serbe rimori kontrollin e katër komunave veriore, pas një periudhe ku këto komuna u qeverisën nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos