
Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e radhës pakon e 19-të të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse.
Kabineti qeveritar aprovoi ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të 25 shkurtit 2022, përmes të cilit Kosova zbaton masat ndëshkuese të partnerëve perëndimorë ndaj Rusisë dhe Bjellorusisë, në raport me luftën në Ukrainë.
Pakoja e re përfshin masa që prekin sektorin e energjisë, financat, tregtinë dhe shërbimet strategjike. Po ashtu, ajo parashikon masa shtesë që lidhen me lëvizjen e diplomatëve rusë.
Propozimi është paraqitur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës dhe synon vazhdimin e harmonizimit të politikës së jashtme të Kosovës me paketat e reja të sanksioneve të miratuara nga aleatët ndërkombëtarë. (A2 Televizion)