
Shkollat do të vazhdojnë të jenë të hapura. Ministrja e Arsimit, Evis Kushi, thotë se situata është nën kontroll dhe sipas kryetares së Komitetit Teknik, Mira Rakacolli, situata nuk dikton vendim për mbyllje.
Universitetet nuk hapen të paktën muajin e parë, por në çdo rast, sipas ministres së Arsimit, nuk do të ishin asnjëherë plotësisht të hapura në këtë vit të ri akademik.
Që ditën e parë, studentët bojkotuan mësimin online duke protestuar për kthim në auditore. E megjithatë, veçanërisht në kohë pandemie, protestat jo vetëm që nuk lejohen nga autoritetet, por nuk kanë sjellë as zgjidhje.
Nuk do të lejohen mbajtjet e protestave për sa kohë do të jemi në pandemi. Ky është vendimi i deritanishëm i Komitetit të Ekspertëve, duke argumentuar se brohoritjet dhe mosrespektimi i distancave ka sjellë rritjen e numrit të rasteve me Covid, por pa dhënë shifra zyrtare se sa janë personat e prekur që kanë marrë pjesë në protesta.
Në një diskutim të hapur mes shoqërisë civile dhe autoriteteve shëndetësore, këto argumente u kundërshtuan nga pedagogu dhe aktivisti Ervin Goci, i cili tha se nuk ka një studim të mirëfilltë për përhapjen e virusit në protesta. Një kritikë për Komitetin e Ekspertëve në këtë drejtim erdhi edhe nga Avokatja e Popullit, sipas së cilës, e drejta e protestës nuk mund të mohohet.
Të vetmet vende ku nuk po cenohen grumbullimet këto javë, janë takimet me natyrë elektorale, edhe pse vetë Komiteti Teknik i Ekspertëve thotë se ato nuk duhet të bëhen.
Nga ky diskutim i parë i hapur, shoqëria civile kërkoi që protestat e qytetarëve të lejohen duke respektuar protokollet e caktuara. Në të gjitha protestat e thirrura, Policia e Shtetit ka kërkuar shpërndarjen e grumbullimeve. (A2 Televizion)