Kryeministri Edi Rama, gjatë mbledhjes së tij të qeverisë në orën 07:00, deklaroi se ësht krijuar një ide e gabuar se operacionet e kërkim-shpëtimit nisën vetëm kur erdhën ekipet e huaja.
Por, sipas kryeministrit, kjo nuk është e vërtetë.
“Është krijuar ideja se gjithçka nisi kur erdhën ekipet ndërkombëtare, por unë mund t’ju them me shumë krenari se përshtypjet për njerëzit tanë kanë qenë mbresëlënëse nga ana e skuadrave që erdhën. Kjo ishte eksperiencë e madhe për kërkim-shpëtimin dhe tani, njësinë tonë kemi mundësi ta ngremë në nivelin e të tjerëve në aspektin e pajisjeve, por edhe me programet e përbashkëta të trajnimit”, tha Rama.
“Edhe për urgjencën mjekësore shqiptare kanë qenë fantastike, nuk e kishin menduar kurrë italianët se Shqipëria kishte këtë nivel urgjence”, shtoi kreu i qeverisë.
Në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Rama bëri edhe një bilanc paraprak të banesave dhe pallateve të dëmtuara nga termeti i 26 nëntorit.
Në Durrës janë 701 banesa të dëmtuara, 12 të shkatërruara totalisht dhe 176 pallate të dëmtuara. Në Tiranë, janë 15 banesa te shkatërruara, 239 banesa të dëmtuara, 8 pallate jashtë funksionit, ndërsa 61 pallate të dëmtuar rëndë.
Kryeministri theksoi se ky bilanc kërkon të plotësohet në mënyrë që askush të mos mbetet jashtë përllogaritjeve dhe masave që do të merren.
Ndërkohë, në Tiranë janë 3480 persona pa shtëpi. 1 mijë janë të akomoduar në 5 qendra private, ndërsa të tjerët në çadra dhe tek të afërmit. Po ashtu, në Durrës janë akomoduar 625, ndërsa në Elbasan 209.
I gjithë ky proces, tha kreu i qeverisë, do te drejtohet nga Komiteti kombëtar i rindërtimit. Ndërsa, ndihma financiare deri më tani përllogaritet nga qeveria në afërsisht 5 milionë euro, 1,5 milionë dollarë dhe ndihmat e mbledhura nga organizatat vullnetare shkojnë deri në 4,5 milionë dollarë. (A2 Televizion)