Mbi 520 etiopianë rrezikojnë ekzekutimin në Arabinë Saudite

Nga A2 CNN
13 Nëntor 2026, 09:53 | Bota

Mbi 520 etiopianë rrezikojnë ekzekutimin në Arabinë Saudite

Më shumë se 520 shtetas etiopianë ndodhen në pritje të ekzekutimit në Arabinë Saudite, pasi janë dënuar me vdekje kryesisht për vepra që lidhen me trafikun e drogës. Shumica e të dënuarve vijnë nga rajoni Tigray, në veri të Etiopisë, ndërsa autoritetet lokale kanë kërkuar nga qeveria saudite të shqyrtojë mundësinë e faljes së tyre.

Përfaqësues të rajonit Tigray i kanë bërë thirrje autoriteteve saudite të tregojnë mëshirë, duke ngritur shqetësime për rrethanat në të cilat janë zhvilluar proceset gjyqësore ndaj shtetasve etiopianë.

Sipas tyre, disa prej të dënuarve mund të jenë mashtruar nga ndërmjetës dhe të jenë përfshirë në rrjete të trafikut të drogës pa e kuptuar plotësisht natyrën e aktivitetit ku po përfshiheshin.

Gjithashtu, përfaqësuesit rajonalë pretendojnë se disa prej tyre janë gjykuar pa praninë e avokatëve mbrojtës dhe pa përkthyes, në gjuhë që nuk i kuptonin, duke ngritur pikëpyetje mbi respektimin e të drejtave të tyre gjatë proceseve gjyqësore.

Shqetësimet janë shtuar pas ekzekutimeve të fundit. Dy shtetas etiopianë u ekzekutuan të premten, ndërsa një javë më parë pesë të tjerë u dënuan me vdekje për vepra të lidhura me trafikun e drogës.

Sipas mediave të huaja, gjatë muajve qershor dhe korrik në Arabinë Saudite u ekzekutuan edhe dhjetë shtetas të tjerë etiopianë. Në total, numri i qytetarëve etiopianë të ekzekutuar në mbretëri gjatë vitit 2026 ka arritur në 34, duke i renditur ata si grupin më të madh të shtetasve të huaj të ekzekutuar në vend gjatë këtij viti. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos