
Kalimi nga kategoria regjim hibrid në atë të demokracisë me të meta, është arritje e madhe për kryeministrin Rama, që citon indeksi vjetor për 2020, të njësisë së inteligjencës së prestigjiozes “The Economist”.
“Jemi futur në të njëjtën klasë me shtetet anëtare të Bashkimit Europian dhe SHBA”, tha Rama.
Dhe për këtë evoluim të demokracisë, ai di kujt t’ia dijë për nder.
“Reforma elektorale, jo vetëm diskutuar por dhe mallkuar një palë apo 5 palë vendas dhe të huaj konsiderohet si arsyeja kryesore e këtij përmirësimi”, shtoi kryeministri.
Dalja e kryeministrit ishte për të komentuar vlerësimet në raportet e fundit të organizmave ndërkombëtare. Avancimi me dy pozicione nga “Transparency International” sa i përket perceptimit të korrupsionit, si dhe vlerësimi nga “Standard and Poors” për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, ishin të tjerë tregues të cituar prej tij, si për t’iu kundërpërgjigjur ofertave të kundërshtarit.
Motivin pse sipas tij programi ekonomik i Bashës nuk duhet besuar, e gjen të historiku i qeverisjes së demokratëve. (A2 Televizion)