
Nga Berati, Edi Rama risolli në vëmendje kartën më të fortë të fushatës së vitit 2017, reformën në drejtësi. Ndonëse kanë kaluar katër vite nga atëherë dhe kreu i qeverisë është koshient se rezultatet nuk janë ato që priteshin, por u kujdes të evidentonte me shembuj se gjërat kanë filluar të lëvizin.
“Disa shenja pozitive janë dhënë. U arrestua një gjyqtare me një grup rreth saj që faktikisht kishte marrë vendime të tmerrshme, por deri dje kjo nuk mund të ndodhte, sot ndodh dhe është një mesazh shumë i qartë për të gjithë. U arrestua një mjek që faktikisht kishte rrjepur dynjanë, deri dje kjo nuk ndodhte”, u shpreh Rama.
Beratasve, Rama iu tregoi edhe dëftesën e lavdërimit që reforma në drejtësi mori pak ditë më parë nga Departamenti Amerikan i Shtetit nëpërmjet dekorimit të gjyqtarit Ardian Dvoriani, pa harruar t’i çojë mesazh Ilir Metës, të cilin nuk e përmendi me emër.
“E fundit që ka krijuar një turbullirë të madhe në lagjet e tjera të politikës me vendimin e Sekretarit të Shtetit për të vlerësuar me çmimin e veçantë të nderit të SHBA një gjykatës shqiptar që duhet edhe pse është bërë i njohur, dihet se më kë është përplasur, është shumë domethënëse”, shtoi ai.
Në Berat, Rama shoqërohej nga ish-deputeti i LSI, Nasip Naço, që tashmë ka kaluar me PS, të cilin konsideroi një mik special.
“Faktikisht është këtu si një deputet i kësaj zone, po ashtue dhe si shprehje shumë kuptimplotë e një fakti shumë të rëndësishëm që në këtë zonë për të vazhduar punën, sot kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve. Kemi nevojë për një bashkim të madh dhe të rëndësishëm forcash.”
Pjesë të fjalës së tij kryeministri kishte edhe procesin e vaksinimit për të cilin nënvizoi se brenda muajt mars do të marrin dozat e plota mjekët dhe infermierët. (A2 Televizion)