Rikthimi me revolucion në Angli, ndeshjet të reduktohen

Nga A2 CNN
5 Maj 2020, 16:39 | Futboll

Premier League dhe i gjithë futbolli profesionist në Angli po përgatitet për të rifilluar aktivitetin. Nga masat sanitare, te idetë që do të ndikonin në mënyrë direkte në lojë, personat përgjegjës për sportin kanë paraqitur në tryezën e diskutimeve propozimet e tyre, për ta mbyllur këtë sezon brenda një harku kohor mjaft të kufizuar.

Në këtë kuadër, Shoqata e Futbollistëve Profesionistë në Angli është gati për një ide revolucionare. Administratori Gordon Taylor foli për reduktim të mundshëm të kohëzgjatjes së ndeshjeve, duke bërë që në situatën e pazakontë të krijuar, pjesët e lojës të zgjasin më pak se 45 minuta.

“Nuk e njohim të ardhmen, por jemi në dijeni të propozimeve të paraqitura. Duke qenë se kalendari deri në fund të kampionatit do të jetë tejet i ngjeshur, po mendohet të shtojmë numrin e zëvendësimeve apo të ulim kohëzgjatjen e ndeshjes, ku secila pjesë luhet 45 minuta. Gjithashtu po diskutohet edhe për stadiume asnjanëse”, konfirmoi drejtuesi i Shoqatës së Futbollistëve.

Vendimi final për këto propozime do të merret nga trajnerët dhe futbollistët, të cilët do të thonë fjalën e tyre rreth ndryshimeve në këtë kohë emergjencash. Këtë të premte, pas takimit të pronarëve të klubeve, Premier League pritet të finalizojë versionin zyrtar të protokollit sanitar që do të përdoret për të rifilluar aktivitetin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos