
Krahas problemeve të shkaktuara nga pandemia, qindra familje vuajnë ende pasojat e tërmetit të nëntorit të kaluar, ndërkohë që qeveria po vijon me planet e rindërtimit. Vrojtimet në terren theksojnë problematikat e banorëve, burokracinë dhe vonesat, por për ministren e Kulturës, Elva Margariti, rezultati deri më tani ka qenë mbresëlënës. “Kam ndjekur së afërmi koordinimin e projektimit, tashmë kjo fazë është mbyllur dhe tani kemi 33 kantiere që po marrin jetë".
Ministrja pohon se pandemia e ka spostuar pak javë kalendarin e punimeve të disa zonave, “sepse buxheti i shtetit duhej të adresonte edhe emergjencën e të prekurve nga COVID-19”, por vlerëson se ajo që është realizuar “është unikale në rajon”.
Margariti thekson se kolegët e vendeve fqinje i kishin këshilluar zgjidhje provizore si kontejner dhe shtëpi lëvizëse, por që qeveria shqiptare e refuzoi idenë si “jo të denjë dhe që do të shndërrohej në gangrenë për vetë banorët”.
Ajo sqaron planin zhvillimor duke marrë si shembull qytezën simbol të tërmetit të 26 nëntorit, Thumanën. “ Thumana ishte një nga zonat ku u hartuan modelet edhe për zonat e tjera. Hapësira boshe ku ndodhen tendat në Thumanë do të shndërrohet në një nga polet e reja ku do të ketë shërbime për komunitetin, qendrat shëndetësore edhe administrative të zonës, dhe në hyrje do të ketë një treg, ndërkohë që banesat janë menduar si në qasjen e agriturizmit, sepse vetë peizazhi i zonës është marrë si bazë për planin, është menduar një zinxhir më i madh”, thotë ministrja për A2.
Objektiv primar u është rezervuar objekteve arsimore, edhe ato me qasje ndryshe, edhe pse kjo nënkupton një afat më të gjatë për rindërtimin. “Pjesa më e madhe e objekteve arsimore janë kantiere ndërtimi. Nuk kemi projektuar hapësira që do të përmbushin vetëm nevojën e përkohshme, por kemi ndërtuar funksione të shtuara, me një shkollë e ideuar si qendër komunitare, me vëllime më të mëdha. Kemi shtuar hapësira sportive, laboratorë, hapësira social-kulturore që funksionojnë edhe pas orarit të shkollës”, nënvizon Margariti.
Por afate të detajuara ministrja nuk i jep, edhe pse duket besimplotë. “Jam besimplotë për banesat individuale, kemi ecur mjaft mirë, është bërë punë e madhe ndërinstitucionale. Nuk flas dot me data precize, sepse jetojmë në një kohë ku çdo ditë ka surprizat e saj, por po punohet me tri turne”, thotë ajo.
Ministrja e Kulturës sqaron edhe një procedurë për sa i përket zhvendosjes së disa komuniteteve në qendrat e reja të ndërtuara enkas. “Bëhet fjalë për komunitete rurale si për shembull në Fushë Krujë, që nuk kanë ndjekur zhvillimin sipas planeve vendore. Bëhet fjalë për një marrëveshje privat-shtet e favorshme për personat e prekur. Tokat e banesave nga ku do të zhvendoset ai komunitet do të mbeten të tyre, tokë bujqësore që mund të punohet, të gjenerojë të ardhura, ndërkohë që banesa do të zhvendoset në lagjen e re, ku do të kenë facilitete të shtuara, më afër objekteve arsimore dhe shëndetësore”, sqaron ministrja Margariti. (A2 Televizion)