Këshilltari i djathtë për Bashkinë e Tiranës, Ilir Alimehmeti zbuloi në “Puls” me Bruna Çifligun, në A2 CNN, arsyet pse opozita kërkoi me ngulm që Erion Veliaj të ishte i pranishëm në mbledhjen ku u votua për shkarkimin e tij si kryebashkiak.
Sipas tij, Veliaj duhej dëgjuar për të gjitha skandalet me abuzimet e fondeve publike që kanë ndodhur gjatë kohës që ai ka drejtuar bashkinë e kryeqytetit.
“Ne ishim për ta dëgjuar. Ja u them unë pse. Sepse ai kurrë nuk i dha përgjigje pyetjeve tona. Ku shkuan fondet e qytetit, ku shkoi inceneratori që s’ekziston fare, ku shkoi ‘5D’? Ne kemi detyrën ta vëmë përpara përgjegjësisë dhe të bëjmë pyetjet. Nëse ai s’do të përgjigjet dhe kishte okazionin e fundit të përgjigjej para Këshillit Bashkiak. A duhej shqyrtuar mundësia që ai të ishte aty. Unë mendoj se po. Pastaj mund të vendosej se jo, sepse ligjet e paraburgimit i di Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Burgjeve. Patjetër mendoj se disa njerëzve, këshilltarëve të PS dhe kryeministrit nuk i interesonte të dëgjonte se çfarë ai do të nxirrte nga goja. Për mendimin tim, ai do thoshte: ‘Rroftë partia dhe rroftë Edi Rama’”, tha Alimehmeti në “Puls” me Bruna Çifligun, në A2 CNN.
Në vijim, Alimehmeti nënvizoi se ishte ky Këshill Bashkiak që i la në dorë menaxhimin e 2 miliardë eurove Veliajt, ndaj qytetarët duhet të mësonin përmes pyetjeve të opozitës se ku kryebashkiaku i çoi këto para nga fondet publike.
“Për abuzimet që ai ka bërë, për këto duhet të ishte dënuar ai, jo për çështje minore si buzëkuqe dhe fustane. Ne duhet të jemi për pyetje të mëdha. Ke pasur zotëri mbi dy miliardë euro për të menaxhuar nga financat tona për Tiranën, çfarë vepre të madhe le mbrapa? Këshilli bashkiak ishte aty? Se kush ja dha paratë atij, i mori vetë ai? Jo, ia dha këshilli bashkiak me votë. Ia dha Romina Kuko fillimisht dhe Megi Fino më pas si kryetare dhe më pas gjithë PS, PSD dhe PDIU që ngrenë kartonët bashkë me ta”, deklaroi Alimehmeti në “Puls” me Bruna Çifligun, në A2 CNN. (A2 Televizion)