Romeo, bretku më i vetmuar në botë, ka një takim me Zhuljetën më 14 shkurt

Nga A2 CNN
17 Janar 2019, 22:47 | Lifestyle

Bretku më i vetmuar në botë më në fund mund të gjejë të dashur… e cila e ka emrin Zhuljeta.

Ai ka qenë “beqar” prej 10 vitesh dhe shkencëtarët mendonin se ishte i fundit i species së tij. Por së fundmi është gjetur një kandidate në Bolivi dhe shkencëtarët duan t’i mundësojnë një takim më 14 shkurt në përpjekje për të shpëtuar specien e tyre.

Zoologia Teresa Camacho, e cila gjeti Zhuljetën, thotë se ajo është në moshën ideale për t’u riprodhuar, por frika ekziston se të dy mund të mos pëlqehen.

Zhuljeta, bretkosa që do të takohet me Romeon më 14 shkurt

“Shpresojmë që të kundërtit të tërhiqen”, thotë ajo. “Romeo është pak i turpshëm dhe nuk noton shumë, është edhe pak mbipeshë”. Ndërsa Zhuljeta është më miqësore dhe plot me energji. “E kemi vënë Romeon në stërvitje”, thotë Camacho.

Por nëse gjërat nuk funksionojnë, shkencëtarët mund të presin sa të rriten individët e tjerë të species që gjetën në xhungël, ose do të provojnë me fertilizimin “in vitro”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos