
Borxhi publik është një rrezik i madh për ekonominë e shqiptarëve. Këtë thekson Banka Botërore në raportin e fundit dhe nevoja për ta ulur atë citohet në çdo dokument të institucioneve ndërkombëtare.
Përgjatë pandemisë borxhi u rrit nga të gjitha qeveritë në botë për të mbështetur qytetarët dhe bizneset, ndërsa në vendin tonë shërbeu edhe si nxitje për ekonominë falë programit të rindërtimit.
Por tashmë sipas BB dhe ekspertëve, aftësia paguese e vendit rrezikohet ndjeshëm nga kriza e çmimeve dhe ajo energjetike.
“Borxhi është bërë një gangrenë, sepse ne, si një vend me ekonomi të dobët, nuk e përballojmë dot. Jemi dritëshkurtër dhe e kalojmë barrën e borxhit gjithnjë e më shumë mbi brezat e ardhshëm. Një ekonomi, që të përballojë një borxh kaq të madh, duhet të jetë shumë e shëndetshme, gjë që tani ekonomia shqiptare nuk e ka arritur akoma”, thotë për A2 CNN Zana Guxholli, eksperte për ekonominë.
Guxholli thekson se borxhi publik duhet të fokusohet në projekte që garantojnë një zhvillim të qëndrueshëm të ekonomisë. “Që borxhi të jetë i shëndetshëm duhet që të ushqejë ekonominë me likuiditet, pra të futet në ato sektorë që kanë produktivitet dhe që kthejnë para. Ne, pjesën më të madhe të këtyre parave e çojmë për larjen e borxhit të mëparshëm. Mekanizëm normal, por përqindja sa çojmë atje tregon sa të shëndetshëm e kemi këtë borxh”, thotë ajo.
Banka Botërore parashikon se borxhi pritet të stabilizohet këtë vit në 73.9% të PBB-së, por ekspertët hedhin shqetësimin se në këtë shifër nuk përfshihen detyrimet e kontratave koncesionare dhe detyrimet e prapambetura. (A2 Televizion)