Të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe 35 të tjerë kanë mbetur të plagosur si pasojë e një zjarri të madh që përfshiu një fabrikë veshjesh në provincën veriore Gharbia të Egjiptit.
Sipas një deklarate zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë egjiptiane, zjarri shpërtheu mëngjesin e sotëm në zonën Yamani të lagjes El-Mahalla El-Kubra. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje u dërguan 26 ambulanca të pajisura me mjete të avancuara për ndërhyrje të shpejtë.
Të plagosurit janë transportuar në spitalin e përgjithshëm të El-Mahalla, ku aktualisht po marrin trajtimin e nevojshëm mjekësor. Autoritetet shëndetësore nuk kanë bërë ende të ditur gjendjen e saktë të të lënduarve.
Forcat e mbrojtjes civile po vijojnë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në zonën e djegur, ndërsa është në zhvillim një operacion për pastrimin e mbeturinave me shpresën për të gjetur të mbijetuar ose për të konfirmuar bilancin përfundimtar të viktimave.
Autoritetet lokale dhe kombëtare janë në koordinim të plotë për të garantuar sigurinë e banorëve dhe për të hetuar shkaqet e zjarrit, të cilat mbeten ende të paqarta. (A2 Televizion)