Sfidon Erdogan, nuk i trembemi sanksioneve, nuk ka armëpushim

Nga A2 CNN
16 Tetor 2019, 15:41 | Bota
Sfidon Erdogan, nuk i trembemi sanksioneve, nuk ka armëpushim

Ata duan armëpushim, por ne nuk do ta shpallim kurrë. Me këto fjalë, presidenti turk, Rexhep Tayp Erdogan sfidoi thirrjen e Shteteve të Bashkuara për armëpushim të menjëhershëm në Sirinë veriore. 

“Ata po na kërkojnë të ndalim operacionin. Po njoftojnë vendosjen e sanksioneve. Por qëllimi ynë është i qartë. Nuk jemi të shqetësuar për sanksionet”, deklaroi presidenti turk.

Komentet e Erdogan vijnë në prag të vizitës në Turqi të zv.presidentit amerikan Mike Pense dhe sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Turqia nisi ofensivën për zmbrapsjen e forcave kurde nga rajonet kufitare, pasi aleati i tyre kryesor Uashingtoni, tërhoqi trupat. Rusia, e cila mbështet regjimin sirian, tha se kishte parandaluar përplasjet mes forcave kurde dhe atyre siriane që tashmë gjenden në zonë, mbi bazën e një marrëveshje të arritur me kurdët. Presidenti Vladimir Putin ka thirrur në një vizitë pune homologun turk.

Kritikë të administratës Trump thonë se tërheqja e trupave amerikane nga rajoni i kishte dhënë Ankarasë dritën jeshile për ofensivën, por presidenti e mohon këtë dhe pas sanksioneve të njoftuara të hënën, premtoi të tjera edhe më të forta.

“Ne duam të kthejmë në shtëpi ushtarët tanë dhe do të tregohemi shumë të ashpër me Turqinë e vende të tjera. Ne vendosëm sanksione të forta kundër Turqisë, por nëse ato nuk bëjnë efekt, kemi shumë të tjera në pritje”, tha kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Dhjetëra civilë janë vrarë gjatë ofensivës, dhe të paktën 160 mijë vetë janë shpërngulur nga banesat e tyre.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos