
Presidenti Meta iu drejtua Komisionit të Ligjeve me një letër pak para se deputetët të nisnin mbledhjen, pjesë të procedurës së nisur për shkarkimin e tij.
Kreu i Shtetit i rikujton Kuvendit se prej 2 vjetësh po godet aktivitetin kushtetues të Presidentit të Republikës. Pikërisht në këtë drejtim e sheh Meta edhe procesin e dytë për shkarkimin e tij, duke e cilësuar si fiktiv, të pambështetur në Kushtetutë dhe ligje, por vetëm të orientuar politikisht.
“Kjo përpjekje e radhës, që bie në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin, nuk synon asgjë tjetër, veçse shmangien e vëmendjes nga problematikat reale që po evidentohen dita-ditës mbi këtë proces zgjedhor, të shoqëruar me konsumimin ekzemplar masiv të krimeve zgjedhore, të frymëzuara, dirigjuara dhe ekzekutuara nga partia në pushtet, për interesat e saj”, thekson Presidenti.
Ai shprehet i gatshëm të dëshmojë para Komisionit të Ligjeve me datë 10 maj. (A2 Televizion)