
Dy shqiptarë, njëri prej të cilëve emigrant i paligjshëm, janë arrestuar në Britaninë e Madhe, pasi dyshohet se kanë hyrë me forcë në rezidencën e Princit William dhe Princeshës Kate, në pronën mbretërore Sandringham, në Norfolk.
Ngjarja shkaktoi alarm të madh sigurie në rezidencën Anmer Hall, e cila përdoret nga çifti mbretëror si shtëpi pushimi.
Sipas raportimeve të mediave britanike, dy personat dyshohet se nuk e dinin se banesa i përkiste Princit William dhe Catherine. Paraprakisht, ata dyshohet se kishin synuar të kryenin një grabitje rastësore.
Megjithatë, gazeta “The Sun” raporton se autoritetet po kryejnë verifikime të mëtejshme për të përcaktuar nëse pas hyrjes me forcë në pronën mbretërore mund të fshihet një motiv më i rëndë.
Dy shqiptarët u arrestuan brenda territorit të pronës dhe vijojnë të mbahen në paraburgim. Policia e Norfolkut bëri të ditur se në momentin e ngjarjes, rezidenca nuk kishte persona brenda.
Anmer Hall është rezidenca e pushimit në fshat e Princit dhe Princeshës së Uellsit. Ajo iu dhurua çiftit nga Mbretëresha Elizabeth II si dhuratë martese, pas martesës së tyre në vitin 2011.
Ndërkohë, banesa e tyre kryesore është Forest Lodge, në Windsor, ku jetojnë së bashku me tre fëmijët, Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis. Megjithatë, çifti kalon fundjavat dhe pushimet shkollore në Norfolk. (A2 Televizion)